Balje: Kriza institucionale mund të zgjasë me muaj
Edhe për të shtatëmbëdhjetën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
Deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, thotë se në takimin te presidentja, u kërkua marrëveshje mes partive shqiptare për të dalë nga kriza politike.
Ajo paralajmëron se në mungesë të saj, presidentja do t’i drejtohet Kushtetutës, gjë që mund ta zgjasë krizën.
Sipas saj, mungojnë votat dhe gjithçka është bllokuar nga inati politik.
“ Po ne kemi qenë te presidentja, te presidentja ka munguar veç dy parti të komuniteteve, dhe kemi pas një takim shumë konstruktiv dhe në fund kur kemi dal, veç një gjë ka qenë, jemi duke pritë partitë shqiptare për marrëveshje mes veti, dhe zonja presidente ka lënë një kohë të shkurtër, krejt me qëllim ndoshta me dalë me një marrëveshje nëse jo ka me drejtuar në Kushtetutë. Ne e dimë domethënë përgjigjen prej anës së kushtetutës, mundet mu vonu praktikisht dy muaj edhe nëse nuk është formoluar decedivisht qysh mundemi dal prej kësaj krize, mundemi me vazhduar me krizën dhe kjo është shumë keq për shtetin e Kosovës. Fakt është se nuk ka votë me dal prej krizës dhe në fakt jemi veç t’u prit", theksoi ajo.
Deputeti i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, tha se do të vazhdojë të votojë kundër propozimit që Albulena Haxhiu të jetë kryetare e Kuvendit.
Para gazetarëve, Berisha tha se një kryetar kuvendi duhet ta ketë legjitimitetin publik dhe të ketë mbështetje publike.
Ai bëri të ditur se ka marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, për çka shprehu gatishmërinë që të lëvizet përpara sa i përket konstituimit të kuvendit.
"Në rast se nuk do të ndryshojë asgjë, nuk do të ndryshojë as unë asgjë. Unë kam votuar kundër edhe vazhdoj të votojë kundër një propozimi i cili vjen për tu votuar fshehur. Unë mendoj se një kryetar kuvendi duhet ta ketë legjitimitetin publik edhe të jetë kryetar i të gjithëve dhe të ketë mbështetje publike...Përndryshe, jam interesuar shumë që të fillojë funksionalizimi institucioneve. Ka marrë pjesë na takimin me presidenten dhe po ashtu kemi biseduar dhe jemi shumë të gatshëm që ta shtyjmë këtë proces përpara", tha Berisha.
Berisha tha se pas takimit me Osmanin, është konsideruar se për momentin nuk ka vullnet politik për të dalë nga situata në të cilën gjendemi.
"Arsyeja e takimit është ditur që është për të dalur nga kjo situatë. Ne kemi dalur me disa propozime. Kemi diskutuar disa mundësi të cilat na dërgojnë në zgjidhje të këtij problemi. Përfundimisht është konsideruar që për momentin nuk ka vullnet politik. Sepse po të ketë vullnet politik, ka zgjidhje kjo çështje. Normalisht, është zgjidhja e fundit që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe të jepet interpretimin", tha Berisha.
Sot për herë të shtatëmbëdhjetë dështoi konsituimi i Kuvendit të Kosovës./kp/


