Please enter at least 3 characters.

‘Babi jam e kujdeshme, mos u shqetëso’! Flet i ati i 19-vjeçares shqiptare që humbi jetën në Greqi

Babai i 19-vjeçares shqiptare Myrto, e cila humbi jetën në rrethana ende të paqarta në Greqi, ka ndarë rrëfimin e tij të dhimbshëm për mediat greke, duke kujtuar momentet e fundit me të bijën.

I tronditur nga humbja, ai tregon se biseda e fundit mes tyre ishte e zakonshme, si mes çdo prindi dhe fëmije. “E kisha këshilluar për gjithçka. Ajo më thoshte: ‘Babi, jam e kujdesshme, mos u shqetëso’,” rrëfen ai, duke shtuar se vajza e tij ishte e qeshur dhe plot jetë në momentin kur u largua nga shtëpia atë natë.

Sipas tij, askush nuk mund ta parashikonte tragjedinë që do të pasonte. 19-vjeçarja u gjet më pas e braktisur në rrugë, në gjendje të rëndë, duke luftuar për jetën, ndërsa rrethanat e ngjarjes vijojnë të mbeten të paqarta dhe nën hetim nga autoritetet.

“Isha krenar për të. Ishte e bukur, e lumtur. Nuk e duroj dot… Sapo u kthyem nga funerali,” shprehet ai mes emocionesh të forta.

Babai i saj thekson se mendimet e tij rikthehen vazhdimisht te momenti i fundit që kaluan së bashku, duke u përballur me ndjenjën e fajit dhe pyetjen se çfarë mund të kishte bërë ndryshe. “Do të doja të mos e kisha lënë atë natë. Është një mendim që të mundon çdo ditë. U bëj thirrje të gjithë prindërve të jenë më pranë fëmijëve të tyre, para se të jetë tepër vonë,” shprehet ai.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësit e kësaj tragjedie.