AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUV) ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve dhe produkteve të tyre nga Gjermania, pas konfirmimit të sëmundjes “Avian Influenza” (Gripi i Shpezëve) në disa ferma të këtij shteti.
Sipas AUV-së, raportet e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe të Komisionit Evropian, të datës 28 tetor 2025, kanë konfirmuar prani të serotipit me patogjenitet të lartë HPAI – H5N1 në Gjermani.
“Ndalohet importi i shpezëve të gjalla dhe i produkteve të tyre si mish, vezë dhe nënprodukte të tjera, që kanë origjinën nga i gjithë territori i shtetit të Gjermanisë. Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Agjencia ka theksuar se po monitoron me kujdes situatën epidemiologjike dhe do të bashkëpunojë me institucionet vendore e ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e sëmundjes, duke siguruar mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe të sigurisë ushqimore në Kosovë.


