Please enter at least 3 characters.

ASK publikon për herë të parë Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit për Kosovën

ASK publikon për herë të parë Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit për Kosovën (TM1 2018 – TM2 2025)

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar për herë të parë Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB), një tregues i ri statistikor që mat lëvizjet e çmimeve të banesave dhe shtëpive në gjithë territorin e vendit. Indeksi mbulon periudhën nga tremujori i parë i vitit 2018 deri në tremujorin e dytë të vitit 2025, me vit bazë 2018.

Sipas ASK-së, çmimet më të larta të pronave të banimit regjistrohen në Rajonin e Prishtinës, ndërsa të dhënat e detajuara tregojnë trende të ndryshme të rritjes dhe rënies gjatë viteve të fundit.

telegrafi.com

Rritja mesatare vjetore: kulmi në vitin 2022

Të dhënat për periudhën 2019–2024 tregojnë se rritja mesatare vjetore e çmimeve të pronave në nivel vendi ka kulmuar në vitin 2022 me 4,5%, e ndjekur nga viti 2024 (4,0%) dhe viti 2023 (3,7%). Viti 2020 shënoi rritjen më të ulët (0,2%), për shkak të ndikimit të pandemisë COVID-19 në tregun e patundshmërive.

Ndryshimet vjetore: rritja më e madhe në TM1 2025

Në analizën vjetore tremujore (TM1 2019 – TM2 2025), rritja më e lartë u regjistrua në TM1 2025 me 7,8%, si dhe në disa tremujorë të vitit 2022 dhe 2023, duke reflektuar rritjen e kërkesës dhe intensifikimin e aktivitetit të tregut. Rëniet më të theksuara u regjistruan në vitin 2020, veçanërisht në TM4 (-2,4%) dhe TM2 (-2,0%).

Ndryshimet tremujore: luhatje të theksuara para dhe pas pandemisë

Në periudhën TM1 2019 – TM2 2025, rritjet tremujore më të mëdha u regjistruan në TM4 2019 (4,5%), TM2 2022 (3,1%) dhe TM2 2024 (2,9%). Rënia më e madhe tremujore u shënua në TM2 2020 (-3,3%), periudhë që përkon me pasigurinë ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

Rajoni i Prishtinës me rritjen më të ndjeshme

Të dhënat për ndryshimet mesatare vjetore (2019–2024) tregojnë se Rajoni i Prishtinës ka pasur luhatje më të theksuara, me kulmin në vitin 2021 (5,5%) dhe rënie në vitin 2020 (-0,1%).
Ndërsa për rajonet e tjera të vendit, rritja më e lartë mesatare është regjistruar në vitin 2023 (5,4%), ndërsa viti 2021 ka shënuar rënie (-1,4%).

Prishtina: rritje deri në 11,3% brenda një tremujori

Sipas tremujorëve, Rajoni i Prishtinës regjistroi rritjen vjetore më të lartë në TM1 2025 me 11,3%, e ndjekur nga TM2 2021 (7,4%), TM4 2024 (7,3%) dhe TM3 2024 (6,1%). Rëniet më të theksuara u shfaqën në TM2 2020 (-3,0%) dhe TM3 2023 (-1,0%).

Rajonet e tjera: rënie më të theksuara në vitin 2020

Në rajonet tjera të vendit, rritja më e madhe vjetore u regjistrua në TM1 2023 (9,4%), ndërsa rënia më e madhe ndodhi në TM4 2020 (-6,5%), që përkon me pasigurinë e tregut gjatë pandemisë.

ASK njofton se publikimi i IÇPB-së synon të rrisë transparencën dhe qasjen në të dhënat mbi tregun e patundshmërive, duke ofruar një instrument të rëndësishëm për qytetarët, investitorët, politikat publike dhe analizat ekonomike.

Të dhënat e plota dhe tabelat shoqëruese janë të qasshme në uebfaqen zyrtare të ASK-së. /Telegrafi/