Arrestohet një person i dyshuar për krime lufte në Zubin Potok
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka arrestuar një person tjetër të dyshuar për krime lufte në komunën e Zubin Potokut.
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, arrestimi është kryer më 2 gusht 2026 nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
I arrestuari, i identifikuar me inicialet J.R., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Autoritetet kanë bërë të ditur se arrestimi është rezultat i një pune intensive hetimore të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe prokurorët, në kuadër të përpjekjeve institucionale për hetimin dhe zbardhjen e rasteve të krimeve të luftës.
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale kanë njoftuar se do të vazhdojnë me ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, ndërsa opinioni publik do të informohet për zhvillimet e mëtejshme.
Ndryshe, në fshatin Kalludër e Vogël në komunën e Zubin-Potokut kanë nisur gërmimet për gjetjen e mbetjeve mortore të 23 personave, të njohur si “grupi i intelektualëve” nga rajoni i Mitrovicës, të cilët dyshohet se janë vrarë ose zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Bëhet fjalë për një grup personash të cilët ishin rrëmbyer më 19 prill 1999, ndërsa për fatin e tyre ende nuk ka një epilog përfundimtar, edhe pas 27 vitesh nga zhdukja e tyre.
Pas vizitës në këtë lokacion, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i gërmimeve mund të zgjasë për disa muaj, për shkak të vështirësive të terrenit dhe mundësisë që mbetjet mortore të jenë të shpërndara në zona të ndryshme.
Autoritetet e Kosovës kanë bërë të ditur se puna në terren do të vazhdojë me qëllim të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur dhe sigurimit të provave për një nga rastet më të rënda të personave të pagjetur nga lufta. /Telegrafi/


