Please enter at least 3 characters.

Arrestohet në Ulqin një shtetas i Kosovës, dyshohet për disa vjedhje dhe posedim heroine

Një shtetas i Kosovës, me inicialet G.R., 47 vjeç, është arrestuar në Ulqin nga Policia e Malit të Zi, pasi dyshohet se ka kryer disa vjedhje në këtë qytet.

Sipas autoriteteve malazeze, ndaj tij ishte lëshuar më herët një urdhër-kërkim lokal, shkruan vijesti.me.

Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit të banesës që përdorte i dyshuari janë gjetur një pjesë e sendeve të vjedhura, për të cilat dyshohet se lidhen me veprat penale të kryera në zonën e Ulqinit.

Sipas hetimeve paraprake, G.R. dyshohet se ka kryer tri vjedhje në zonat e Plazhit të Madh dhe Plazhit të Vogël, duke marrë nga persona të ndryshëm para, telefona celularë, çelësa automjetesh, biçikleta, pije alkoolike me vlerë, cigare dhe sende të tjera personale.

Gjatë bastisjes, policia ka gjetur edhe një paketim me heroinë, për çka ndaj tij pritet të nisë procedurë edhe për shkelje të ligjit për parandalimin e keqpërdorimit të drogës.

“Përmes bashkëpunimit ndërkombëtar policor është konstatuar se G.R. në Kosovë figuron si kryerës i përsëritur i veprave penale dhe se kërkohet edhe nga autoritetet kompetente të zbatimit të ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi.

I dyshuari është ndaluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ulqin, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë. /Telegrafi/