Please enter at least 3 characters.

Anulimet e kontratave pas shpalljes së fituesit, shqetësim në rritje në prokurimin publik në Kosovë

Praktika e anulimit të kontratave pas shpalljes së fituesit po shfaqet si një problem i përsëritur në sistemin e prokurimit publik në Kosovë, duke shqetësuar operatorët ekonomikë dhe duke sfiduar parimet e transparencës dhe llogaridhënies.

Sipas hulumtimit të realizuar për periudhën 2020–2025, disa autoritete kontraktuese, kryesisht nën varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë anuluar kontrata me vlerë mbi shtatë milionë euro vetëm për faktin se ministri nuk i ka nënshkruar ato, edhe pse procedurat administrative kanë përfunduar. Në disa raste, vonesat kanë shkuar deri në 1,200 ditë, përpara se kontratat të anuloheshin pa dokumentim të bazuar ligjor.

Ligji për Prokurimin Publik dhe rregulloret përkatëse kërkojnë që kontratat të nënshkruhen brenda 30 ditëve nga publikimi i njoftimit për dhënie të kontratës, përveç në rastet e ankesave apo vendimeve të organeve mbikëqyrëse.

Sidoqoftë, në praktikë, disa institucione kanë përdorur formularin B10 për anulimin e procedurave para se të publikojnë formularin B58, duke cënuar të drejtën e operatorëve për rishqyrtim dhe ankesa ligjore.

Institucione si Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhim Emergjent janë veçanërisht të prekura nga kjo praktikë. Policia ka pasur pesë kontrata të anulura pas shpalljes së fituesit, me një vlerë rreth pesë milionë euro dhe një periudhë pritjeje deri në 1,451 ditë.

AME ka pasur tre aktivitete të anulura me vlerë mbi 1.8 milionë euro dhe një periudhë pritjeje deri në 3,114 ditë, ndërsa vetë MPB ka pasur dy raste të ngjashme me një vlerë rreth 600 mijë euro.

Këto anulime kanë pasur pasoja të drejtpërdrejta në projekte publike: ndërtimet dhe furnizimet janë bllokuar për vite, kostoja financiare është rritur për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve, ndërsa operatorët ekonomikë përballen me pasiguri juridike dhe rrezik të humbjes së besimit në sistemin e prokurimit publik.

Njohësit e fushës nënvizojnë se vonesat e pajustifikuara dhe anulimet e kontratave pa arsye ligjore transformojnë nënshkrimin e kontratës nga një detyrim ligjor në një mekanizëm me bazë politiko-administrative, duke cenuar neutralitetin dhe besueshmërinë e procesit të prokurimit.

Organet kompetente, përfshirë Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit, kanë vlerësuar disa nga rastet si të jashtëligjshme, duke rekomanduar që operatorët ekonomikë të drejtohen në gjykata për mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Ekspertët rekomandojnë që autoritetet kontraktuese të respektojnë ligjin dhe rregulloret përkatëse, të dokumentojnë çdo vendim për anulim dhe të sigurojnë që operatorët ekonomikë të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre ligjore për rishqyrtim dhe ankesa, duke garantuar kështu transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha fazat e prokurimit.