Please enter at least 3 characters.

“Antisemitizmi kërcënon gjithë njerëzimin”, Rama: Vuajtjet e palestinezëve janë reale dhe zemërthyese

Gjatë vizitës së tij në Jerusalem javën e kaluar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dhënë një intervistë për The Jerusalem Post, ku ka folur për antisemitizmin, marrëdhëniet me Izraelin, historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit dhe luftën në Lindjen e Mesme.

Rama mori pjesë në konferencën ndërkombëtare kundër antisemitizmit “Generation Truth”, të organizuar nga Ministria izraelite për Çështjet e Diasporës dhe Luftën kundër Antisemitizmit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Në fjalën e tij në skenë në Jerusalem, ai citoi Talmudin: “Talmudi na mëson se kush shpëton një jetë të vetme, është sikur të ketë shpëtuar gjithë botën.”

Në intervistën për The Jerusalem Post, Rama shpjegoi se mesazhi i tij ishte universal: “Ka të bëjë me njerëzimin. Historia tregon se fillon me hebrenjtë, por nuk mbaron me hebrenjtë Antisemitizmi nuk është thjesht urrejtje ndaj hebrenjve, por një sulm ndaj arkitekturës morale të vetë njerëzimit.”

Duke folur për lidhjen e tij personale me Jerusalemin, Rama tregoi se u rrit në Shqipërinë komuniste, të izoluar nga bota, ku Izraeli paraqitej si armik: “Që fëmijë isha i fiksuar pas Jerusalemit. Jetonim në një vend totalisht të izoluar dhe na mësonin se duhej të përgatiteshim për ‘betejën e madhe’, sepse ‘ata’ do të vinin për ne. ‘Ata’ ishin imperialistët amerikanë, social-imperialistët sovjetikë dhe sionistët izraelitë.

Një kanal ishte versioni zyrtar, gazetat e Partisë Komuniste, që flisnin për ushtrinë sioniste që vret dhe dëbon palestinezë. Kanali tjetër ishte Bibla e gjyshes sime, një katolike shumë besimtare. Bibla ishte e ndaluar, por ajo e kishte.”

Pas rënies së komunizmit, Rama u shpreh se filloi të mësonte më shumë për historinë e Izraelit dhe Jerusalemit: “Pas rënies së komunizmit nuk mund të shkoja në Izrael sepse nuk kishte lidhje ajrore apo detare. Por fillova të mësoj më shumë dhe kur erdha për herë të parë, dashuria vetëm u rrit.”

Gjatë intervistës, Kryeministri rikujtoi edhe historinë e Shqipërisë gjatë Holokaustit dhe kodin e nderit “Besa”, duke theksuar se Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë ku numri i hebrenjve u rrit gjatë Luftës së Dytë Botërore: “Kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë që nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullsia hebraike u rrit gjatë luftës.”

Ai shtoi se Shqipëria ka dorëzuar mbi 3.700 emra hebrenjsh të shpëtuar pranë Yad Vashem. Rama përshkroi edhe kërkesat e nazistëve gjatë luftës: “Nazistët erdhën me dy kërkesa: listat e hebrenjve dhe listat e arit. Përgjigjja ishte e thjeshtë dhe përfundimtare: ‘Ari mund ta merrni, hebrenjtë janë tanët për t’i mbrojtur’. Kjo nuk është legjendë, është fakt.”

Duke folur për situatën aktuale globale, Rama paralajmëroi për rikthimin e hapur të antisemitizmit: “Antisemitizmi po rikthehet hapur dhe pa turp, shpesh i maskuar si kritikë politike, ankth kulturor apo, edhe më keq, si superioritet moral. Urrejtja nuk fillon me dhunë. Fillon me gjuhën. Fillon me indiferencën. Fillon me justifikimet.”

Në lidhje me sulmin e 7 tetorit dhe luftën që pasoi, Kryeministri Rama ishte i drejtpërdrejtë: “Terrorizmi nuk është këndvështrim. Është krim kundër njerëzimit. Masakra e 7 tetorit nuk ishte rezistencë. Ishte vrasje masive. Vuajtjet e palestinezëve janë reale dhe vërtet zemërthyese.

Është çmenduri të mjegullosh vijat morale apo të legjitimosh terrorin në emër të proporcionalitetit. Paqja nuk mund të nënkuptojë neutralitet ndaj terrorit.”

Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria mbetet një vend mik për hebrenjtë dhe Izraelin: “Nuk ka pasur asnjë shenjë antisemitizmi ndaj turistëve hebrenj në Shqipëri. Mendoj se është normale të jesh mik me Izraelin, por është nder të konsiderohesh një mik i afërt i Izraelit.”