Please enter at least 3 characters.

Anglia dhe Norvegjia rikthejnë rivalitetin historik, por një komentator legjendar ende i lidh dy kombëtaret

Anglia dhe Norvegjia do të përballen në çerekfinalet e Kupës së Botës në Miami të shtunën, në një duel që sjell jo vetëm përballjen mes dy skuadrave, por edhe kujtimin e një prej momenteve më ikonike në historinë e futbollit.

Rivaliteti mes tyre njihet më shumë për një komentim legjendar sesa për duelet në fushë.

Plot 45 vite më parë, një norvegjez i quajtur Bjorge Lillelien shkroi një kapitull të paharrueshëm në historinë e sportit, me një deklaratë që vazhdon të përmendet edhe sot.

Ishte shtatori i vitit 1981 kur Norvegjia, atëherë shumë larg fuqisë që është sot me yje si Erling Haaland, mposhti Anglinë 2-1 në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës.

Ron Greenwood

Përballë kishte një skuadër angleze të mbushur me emra të mëdhenj si Bryan Robson, Glenn Hoddle, Kevin Keegan dhe Trevor Francis.

Fitorja në stadiumin “Ullevaal” të Oslos konsiderohej një nga surprizat më të mëdha të futbollit norvegjez dhe një goditje e rëndë për Anglinë.

Lillelien, komentatori kryesor i transmetuesit norvegjez NRK, nuk e humbi rastin për të festuar në mënyrën më spektakolare.

Fillimisht ai kritikoi gjyqtarin polak Jerzy Kacprzak, duke thënë me ironi se ai ishte “pranë marrjes së shtetësisë angleze”, për shkak të kohës shtesë që sipas tij favorizonte kundërshtarët.

Por sapo gjyqtari mbylli ndeshjen, Lillelien shpërtheu në mikrofon dhe dhuroi një nga komentet më të famshme në historinë e futbollit.

Bjorge Lillelien

“Lord Nelson. Lord Beaverbrook. Sir Winston Churchill. Sir Anthony Eden. Clement Atlee. Henry Cooper. Lady Diana. Ne i kemi mposhtur të gjithë”, tha ai, përpara se të drejtohej direkt te kryeministrja e atëhershme britanike, Margaret Thatcher.

“Maggie Thatcher, a mund të më dëgjosh? Kemi një mesazh për ty. I kemi nxjerrë djemtë e tu jashtë Kupës së Botës. Siç thonë në gjuhën tuaj, në baret e boksit rreth Madison Square Garden në Nju Jork, djemtë tuaj morën një goditje të jashtëzakonshme”.

Më pas ai e përsëriti për të theksuar edhe më shumë momentin:

“Djemtë tuaj morën një goditje të jashtëzakonshme”.

Edhe pse Anglia, ndryshe nga deklarata e Lillelien, arriti të kualifikohej për Kupën e Botës 1982 në Spanjë, fjalët e komentatorit norvegjez mbetën përgjithmonë në kujtesën e tifozëve.

Në epokën e rrjeteve sociale, ndikimi i atij momenti do të kishte qenë edhe më i madh.

Por edhe pa platformat moderne, komentimi u kthye në një fenomen global dhe vazhdon të qarkullojë falë videove të ruajtura ndër vite.

Lillelien, një figurë jashtëzakonisht e dashur në Norvegji, u nda nga jeta në vitin 1987 në moshën 60-vjeçare.

Ai gjithmonë insistonte se fjalët e tij nuk ishin të përgatitura paraprakisht, por një shpërthim spontan emocionesh.

Djali i tij, Marius Lillelien, i cili më vonë u bë një drejtues i lartë në transmetuesin NRK, e përshkroi atë moment si një shfaqje të një tjetër personaliteti të babait të tij.

“Njeriu që dëgjojmë në ato momente të mëdha radiofonike është dikush që ndërton veten si një artist përpara një koncerti. Jashtë transmetimit ishte një person krejt tjetër”, tregoi ai.

Ish-sulmuesi norvegjez Egil Ostenstad, i cili ka luajtur në Ligën Premier me Southampton dhe Blackburn, e përshkroi Lillelien si një figurë të veçantë:

“Ai ishte një norvegjez i pazakontë. Ne zakonisht nuk shfaqim shumë emocione, por ai dinte ta bënte këtë. Ky komentim tregon shumë për personalitetin e tij”.

Me kalimin e viteve, Anglia dhe Norvegjia janë lidhur gjithnjë e më shumë edhe përmes futbollit.

Që nga fillimi i Ligës Premier, pothuajse 100 futbollistë norvegjezë kanë luajtur në elitën angleze, nga Jan Age Fjortoft, Morten Gamst Pedersen dhe John Carew, te Ole Gunnar Solskjaer, Martin Odegaard dhe Erling Haaland.

Në përballjet zyrtare mes tyre, Anglia ka një bilanc prej një fitoreje, një barazimi dhe dy humbjesh në katër ndeshje.

Dy kombëtaret e meshkujve nuk janë përballur kurrë më parë në një turne madhor, ndërsa dueli në Miami do të jetë përballja e parë mes tyre pas 12 vitesh.

Rivaliteti u rikthye edhe në vitin 2015, kur Anglia dhe Norvegjia u përballën në fazën e 1/8-tave të Kupës së Botës për femra.

Para ndeshjes, gazeta norvegjeze “VG Sporten” pyeti nëse Anglia ishte “gati për një goditje të madhe”, duke iu referuar fjalëve të Lillelien.

Por këtë herë triumfoi Anglia me rezultatin 2-1.

Tani, teksa dy kombëtaret përgatiten për një tjetër përballje historike, mbetet për t’u parë nëse ndonjë komentator do të arrijë të krijojë një moment po aq të paharrueshëm sa ai i Bjorge Lillelien.

Për 90 minuta, rivaliteti miqësor do të harrohet dhe gjithçka do të vendoset në fushën e lojës. /Telegrafi/