Please enter at least 3 characters.

Angellov: Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura çdo ditë

2022/06/stojance-angellov.png

Gjatë muajit korrik, mesatarisht janë regjistruar rreth 15 zjarre në hapësira të hapura çdo ditë. Falë ndërhyrjeve në kohë të zjarrfikësve, si dhe mbështetjes nga mjetet ajrore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, të gjitha zjarret u vunë me sukses nën kontroll dhe u shuan. Këtë e bëri të ditur sot, në një deklaratë për mediat, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.

Ai theksoi se reshjet gjatë periudhës së kaluar kanë ndikuar në uljen e numrit të zjarreve dhe kanë ngadalësuar përhapjen e tyre.

“Por, periudha me reshje ka përfunduar. Temperaturat e larta, lagështia e ulët e ajrit dhe erërat e ndryshueshme krijojnë kushte për shpërthimin e shpejtë, përhapjen dhe shuarjen e vështirë të zjarreve në hapësira të hapura. Mjafton vetëm një shkëndijë. Numri më i madh i zjarreve shkaktohen pa qëllim. Qytetarët zakonisht nuk duan të shkaktojnë zjarr, por një pakujdesi e vetme mund të sjellë pasoja serioze”, tha ai.

Angellov u bëri thirrje qytetarëve që të mos hedhin mbetje cigaresh në hapësira të hapura, veçanërisht nga automjetet në lëvizje, si dhe u drejtoi një sërë apelesh të tjera.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që çdo sjellje të dyshimtë ta raportojnë menjëherë në stacionin më të afërt të policisë ose në numrin 112. Gjithashtu, Angellov i ftoi qytetarët të raportojnë persona që mbajnë lëngje të dyshimta, pishtarë, fishekzjarre të mëdha ose sende dhe veprime të tjera që mund të shkaktojnë zjarr.