Please enter at least 3 characters.

Alvarez i shpall “luftë” Atletico Madridit, gati të bëjë hapin ekstrem për Barcelonën

Julian Alvarez ka arritur në pikën e fundit të durimit me Atletico Madridin dhe është i gatshëm të hyjë në grevë për të detyruar klubin spanjoll ta lejojë transferimin e tij te Barcelona gjatë kësaj vere, raporton Mundo Deportivo.

Marrëdhënia mes sulmuesit argjentinas dhe klubit është përkeqësuar plotësisht pasi Alvarez u paraqit në qendrën stërvitore të Atletico Madridit me synimin për të kërkuar largimin.

Megjithatë, trajneri Diego Simeone nuk ndodhej aty, pasi ishte me pushime të shkurtra në Ibiza. Edhe drejtori ekzekutiv i klubit, Miguel Angel Gil Marin, nuk ishte i pranishëm për shkak të pushimeve të tij verore.

26-vjeçari dyshohet se e ka konsideruar mungesën e Simeones si mungesë guximi për t'u përballur me situatën drejtpërdrejt.

I zemëruar nga ajo që e ka perceptuar si shmangie të situatës, Alvarez u ka dhënë një mesazh të qartë pjesëtarëve të stafit që ndodheshin në qendrën stërvitore, duke u thënë se nuk duhet të llogarisin më në të.

Sulmuesi pretendon se Atletico Madridi ka shkelur një premtim që i ishte bërë në muajin shkurt, sipas të cilit klubi do ta lehtësonte largimin e tij gjatë kësaj vere.

Tashmë, Alvarez synon ta formalizojë protestën e tij të mërkurën, kur Simeone të rikthehet për të drejtuar stërvitjen e skuadrës.

Argjentinasi duket i vendosur të përdorë çdo mjet të mundshëm për të realizuar transferimin e dëshiruar te Barcelona, duke e futur Atletico Madridin në një situatë gjithnjë e më të tensionuar./Telegrafi/