Aleanca e Gruas në Junik i jep përkrahje të fuqishme Agron Kuçit
Aleanca e Gruas në Junik ka shprehur përkrahje të fuqishme për kandidatin për kryetar të Komunës së Junikut nga AAK-ja, Agron Kuçi, në një takim që u cilësua si një prej më të mëdhenjve të fushatës në këtë komunë.
Në këtë tubim, ku morën pjesë qindra gra e aktiviste të Aleancës, u rikonfirmua mbështetja e gjerë që Kuçi gëzon nga të gjitha shtresat e shoqërisë junikase.
Agron Kuçi, gjatë fjalës së tij, prezantoi programin zgjedhor, duke theksuar se gratë – si shtyllë e familjes dhe e shoqërisë – do të kenë rol të veçantë në jetën institucionale dhe në proceset vendimmarrëse të komunës.
“Gratë janë forca jonë më e madhe për zhvillim, për dinjitet dhe për ndryshim. Së bashku do ta bëjmë Junikun shembull të suksesit dhe mirëqenies për çdo qytetar,” u shpreh Kuçi.
Përkrahja e madhe që mori në këtë takim, sipas Aleancës së Gruas, është një tregues i qartë i fitores së AAK-së në Junik më 12 tetor, pa nevojë për balotazh.


