AKI-ja nën presionin e SHIK-ut
Siç shkruan gazeta Koha Ditore, së fundmi, edhe kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, Gani Geci, është vënë në dijeni se struktura të caktuara të SHIK-ut, janë duke i shantazhuar kandidatët që pretendojnë të bëhen agjentë shtetërorë, e që më përpara nuk kanë qenë pjesëtarë të SHIK-ut.
Geci ka thënë se format e shantazheve janë nga më të ndryshmet, por më të theksuara janë ato përmes letrave.
“Si kryetar i komisionit jam njoftuar me këtë që po ndodh dhe këtë shqetësim e kam shprehur edhe në një bisedë që kam zhvilluar me drejtorin e AKI-së, Bashkim Smakaj”, tregon deputeti Geci, i cili është nga partia opozitare, Lidhja Demokratike e Dardanisë.
Ai ka drojën se AKI-ja nuk do të mund të pastrohet në tërësi nga njerëzit që kanë shërbyer më herët në strukturat informative partiake, por zotohet se do të bëjë çmos që t’i identifikojë dhe t’i bëjë publikë ata që kanë qenë më herët të përzier. Geci nuk e mohon se ka pasur dyshime mbi të kaluarën e disa kandidatëve që tashmë janë bërë agjentë të AKI-së. /Telegrafi/


