“Abuzim klasik me pushtetin”, Hasani kritikon presidenten pasi e kishte mandatuar Konjufcën
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka kritikuar vendimin e presidentes për të mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë, duke e cilësuar atë si një “abuzim klasik me pushtetin”.
Hasani tha se në një situatë ku shumica dërrmuese e subjekteve politike kanë deklaruar se nuk janë të gatshme të marrin mandatin, presidentja nuk ka pasur bazë ligjore për të vepruar njëanshëm.
“Ai është abuzim klasik me pushtetin, sepse nëse ty të thonë 60 përfaqësues, forcat politike që kanë shkuar te presidentja dhe kanë thënë ‘ne nuk e marrim’, atëherë çka mbetet?” u shpreh Hasani në Kanal10.
Ai shtoi se sistemi politik i Kosovës funksionon mbi marrëveshje dhe koordinim mes partive, jo mbi logjikë presidenciale. “Fjala është për sistem parlamentar me sistem proporcional, i cili asnjëherë pa marrëveshje politike nuk mundet me u formu,” theksoi Hasani, duke nënvizuar se mandati për qeveri nuk mund të imponohet vetëm me vullnet të presidentes.
Reagimi i Hasanit vjen në një moment kur procesi i formimit të Qeverisë në Kosovë mbetet i bllokuar, duke theksuar tensionet ndërmjet institucioneve dhe subjekteve politike.


