A duhet t’i ruani peshqirët në banjë? Ja vendi më i mirë për t’i mbajtur
Për shumë njerëz, mbajtja e peshqirëve në banjë duket zgjedhje e natyrshme, por a është vërtet mënyra më e mirë?
Më poshtë, dy eksperte të pastrimit shpjegojnë nëse peshqirët duhen ruajtur në banjë dhe çfarë duhet pasur parasysh nëse vendosni t’i mbani aty.
Natyrisht, peshqirët që përdorni çdo ditë për dush ose për tharjen e duarve zakonisht qëndrojnë në banjë. “Është në rregull t’i mbani në një varëse ku mund të thahen plotësisht mes përdorimeve”, thotë Tanu Grewal, drejtuese e pastrimit në Ensueno Laundry, Pinalen Multipurpose Cleaner dhe Cloralen Bleach.
Megjithatë, ekspertët këshillojnë që ata të ndërrohen rregullisht dhe të lahen çdo 7 deri në 10 ditë. “Kjo i mban të freskët pa ju ngarkuar me shumë larje rrobash”, thotë Sara Aparacio, eksperte e pastrimit në Homeaglow.
Sipas tyre, peshqirët shtesë është më mirë të ruhen në një dollap për rroba shtëpiake, nëse është e mundur. Arsyeja është se banja është zakonisht një ambient me lagështi.
Si pasojë, peshqirët mund të preken më lehtë nga myku dhe aromat e pakëndshme. Por kjo nuk është e vetmja arsye, transmeton Telegrafi.
“Ekziston edhe rreziku që bakteret dhe myku të përhapen sa herë që tërhiqet uji i tualetit, duke rënë mbi peshqirët e lënë jashtë ose të ruajtur në banjë”, shton Aparacio.
Edhe nëse këto pasoja nuk ndodhin, ka edhe anë të tjera negative.
“Peshqirët e sapolara mund të thithin lagështinë nga avulli në banjë nëse qëndrojnë aty për shumë kohë. Kjo dobëson fijet e tyre dhe krijon mundësi për zhvillim mikrobik”, thotë Grewal.
Nëse nuk keni dollap të posaçëm ose nuk mund ta imagjinoni t’i mbani peshqirët shtesë diku tjetër, ekspertët sugjerojnë disa masa paraprake.
“Nëse vendosni t’i mbani në banjë, mënyra më e mirë është në një hapësirë të mbyllur me ajrosje. Për shembull, duke pasur ventilator shkarkues ose duke lënë derën e banjës paksa hapur, për të ulur lagështinë dhe për të zgjatur jetën e peshqirëve”, përfundon Grewal. /Telegrafi/


