Please enter at least 3 characters.

‘9 dhjetori, ditë historike, ditë e madhe për sportistët’

2016/01/lsquo-9-dhjetori-dit-euml-historike-dit-euml-e-madhe-p-euml-r-sportist-euml-t-rsquo_hd.jpg

Kosova më 9 dhjetor zyrtarisht është anëtare me drejta të plota në Komitetin Olimpik ndërkombëtar.

Presidenti i KOK-u, Besim Hasani, pranimin e KOK-ut në KON e ka quajtur ditë historike për vendin dhe sportistët tonë. Ai mendon se pranimi i KOK-ut në KON,është një mundësi shumë e madhe për të rinjtë tonë që të kyçen sa më shumë në sport dhe të tregojnë talentin e tyre në arenën ndërkombëtare.

“Është një ditë historike për sportin e Kosovës, qoftë për këta sportistë të cilët po dëshmohen se kanë arritur normën olimpike, apo të tjerët që janë afër normës olimpike, por në veçanti edhe për shumë të rinj dhe të reja për të cilët ky pranim të jetë frymëzim për të ardhmen e tyre dhe prindërit e tyre, në mënyrë që sa më shumë fëmijë të kemi të kyçur në sport. Ju e dini se përqindja e njerëzve që merren me sport në vendin tonë është jashtëzakonisht e vogël dhe mbetet prioritet i yni që ky numër të rritet”, ka thënëHasani.

Ai ka folur edhe për rrjedhën e sesionit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, ku Kosova u pranua më drejta të plota në KON.

Hasani tha se ajo që ka bërë përshtypje delegacionin e Kosovës, ka qenë fakti se votimi ka qenë unanim. Sipas Hasanit, surpriza ka qenë se pro Komitetit Olimpik të Kosovës kanë votuar edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, madje sipas tij, pro KOK-ut ka votuar edhe zëvendëskryeministër i Putinit, AleksanderZukov.

“Mirëpo që aty të votojnë edhe shtetet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, madje ato që kanë qenë kundërshtare të fuqishme, ato që kanë paralajmëruar se do ta përdorin veton edhe në Këshillin e Sigurimit, që krejt kjo na krijuar këto probleme, dhe aty të votojnë të gjithë, vërtetë ishte surpriza jo vetëm për delegacionin tonë, por ishte surpriza për të gjithë të pranishmit. Ju a kujtoj se aty në sesion ka votuar edhe Aleksander Zukov që është zëvendëskryeministër i Putinit, aty kanë votuar edhe kinezët, por edhe shumë përfaqësues të shteteve që neve nuk na kanë njohur. Edhe një herë u dëshmua se sporti është mbi politikën”, theksoi Hasani.

Ai ka falënderuar të gjithë ata njerëz të cilët e kanë ndihmuar KOK-un që të pranohet në KON. Sipas tij, gjithë këta njerëz që thyen izolimin 22-23 vjeçare do të jenë përherë miq të Kosovës.

Njeriu i parë i KOK-ut, tha se tani sportistët e Kosovës i presin sfida të mëdha, sepse në vitin e ardhshëm në Baku mbahen Lojërat Evropiane, e sipas Hasanit, Kosova do të jetë pjesë e këtyre lojërave. Ai ka shtuar se të gjithë ata që merren me sport duhet t’i përveshnim punës, sepse qëllimi ynë është të jemi pjesë dhe të kemi prezantim sa më të mirë në Lojërat Olimpik në Baku 2015 dhe ‘Rio 2016’.

I ngazëllyer me pranimin e KOK-ut në KON, është shprehur edhe Fatmir Makolli, nënkryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës. Makolli ka falënderuar gjithë sportistët që kanë punuar 23 vjet për të ardhur tek kjo ditë e madhe.

“Falë juve, falë federatave të sportit, falë njerëzve që kanë punuar 23 vjet, ne ishim atje, e ku për mua ka qenë një nder i madh. Jam krenar që kam marrë pjesë në këtë ngjarje, ku Komiteti Olimpik është pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Tash po ia di vlerën më shumë edhe AzizSalihut, Mehmet Bogujevcit, Fadil Vokrrit, e di se kanë qenë sportistë të mëdhenj dhe neve nuk na mbetet tjetër veç të punojmë, të investojmë sa më shumë në sportistët që të na ngrisin shtetin tonë në piedestalin më të madh të mundshëm”, ka pohuar Makolli.

Krejt në fund drejtuesit e KOK-ut kanë premtuar punë të madhe në mënyrë që Kosova në ‘Baku 2015’ dhe ‘Rio 2016’, të jetë në numër sa më të madh të sportistëve. /KP/Telegrafi/