700 mijë lule shndërrojnë sheshin e Brukselit në një vepër arti
Sheshi historik Grand-Place në Bruksel është mbuluar me një qilim gjigant me lule, i frymëzuar këtë vit nga vepra ikonike japoneze “The Great Wave off Kanagawa” e Katsushika Hokusait.
Vepra është krijuar nga artisti japonez Hiro Sugiyama dhe përbëhet nga më shumë se 700 mijë lule, kryesisht dahliat, një prej luleve më karakteristike të Belgjikës.
Qilimi ka përmasa rreth 70 metra gjatësi dhe 24 metra gjerësi.
Mbi 100 vullnetarë punuan për rreth gjashtë orë për të vendosur lulet dhe për të krijuar dizajnin e planifikuar nga artisti.
Për realizimin e tij janë përdorur 16 ngjyra, ndërsa përveç luleve janë përdorur edhe bar dhe lëvore pemësh.
Edicioni i këtij viti ka një rëndësi të veçantë, pasi shënon 160-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Belgjikës dhe Japonisë.
Qilimi i Luleve rikthehet në Grand-Place çdo dy vjet dhe konsiderohet një nga atraksionet më të veçanta kulturore të Brukselit. Në vitin 2026, ai mund të vizitohet nga 13 deri më 16 gusht.


