50 vjetori i ndërtimit të Murit të Berlinit
Një krah artificial i lumit Spree, në sfond duket stacioni i ri i trenit... Këtu ka qenë pika kalimtare e kufirit në Rrugën Invalidenstrase. Disa qindra metra larg kësaj pike më 24 gusht 1961 humbi jetën 24-vjeçari Gunter Litfin nga lagjja Weisensee e Berlinit Lindor.
Një gur përkujtimor kujton fatin e të riut që ishte viktima e parë e marrë në shënjestër nga ushtarët që ruanin murin. Katërmbëdhjetë ditë më parë pushtet-mbajtësit e Republikës Demokratike të Gjermanisë kishin filluar të rrethonin Berlinin perëndimor.
“Në anën lindore të rrugës, përgjatë Rrugës Bernauer ndodhen kamionët me vinça që vendosin pllakat e betonit. Natyrisht, e gjithë kjo punë vëzhgohet nga prezencë e madhe policore. Policia popullore ka vënë helmetat në kokë dhe ka hequr siguresat nga pistoletat...”, ka thënë një kronist i asaj.
Plumbat e një pistolete të tillë vranë Gunter Litfin, kur ai u përpoq të arrinte bregun perëndimor.
Më 17 qershor 1953, RDGJ kishte shtypur me ndihmën sovjetike kryengritjen popullore. Regjimit nuk iu nda frika për shpërthimin e një revolte tjetër. Pasojë e kësaj frike ishte ndërtimi i murit.
Qindra mijëra vetë ishin larguar më parë në drejtim të perëndimit. Kur më 13 gusht 1961 u mbyll kufiri, situata u shkallëzua.
Rruga "Bernauer Strase" në gjithë botën u bë simbol i mizorisë së RDGJ-së. Sot, këtu ndodhen disa mbetje të murit dhe një qendër historike ku janë dokumentuar arratisjet e shumta, ato të suksesshmet dhe ato të dështuara.
Në muajt e parë pas ndërtimit të murit, shumë vetë arritën të shkonin në perëndim nëpërmjet një tuneli të fshehur. Senati i Berlinit perëndimor përpiqej të ndikonte mbi lindjen nëpërmjet fuqisë të fjalëve! Zëri i kryetarit të Bashkisë, Willy Brandt, dëgjohej deri në thellësi të Berlinit lindor: "Mos qëlloni mbi bashkatdhetarët! Të gjithë do të gjykohen një ditë për sjelljen e sotme".
Profecia e Willy Brandt u përmbush pas rënies së Murit, megjithëse jo ashtu siç e prisnin viktimat e shumta dhe të afërmit e tyre. Në proceset e Murit pati shumë ushtarë të kufirit që dolën në bankën e të akuzuarve, por shumica e tyre u liruan me kusht, madje edhe ai që në shkurt 1989 pati qëlluar mbi viktimën e fundit, 20-vjeçarin Chris Gueffroy.
Emri i tij, ngjashëm si emri i Gunter Litfinit, është shkruar në kryqet e bardha të vendosura në breg të Lumit Spree.
Kliko KËTU për të parë dokumentarin "Të Rrethuar në mur"
/DW/Telegrafi/


