Please enter at least 3 characters.

15 vjetori i shpalljes së mendimit të GJND-së, Kurti: Do mbetet akt i vulosjes së ligjshmërisë së Pavarësisë së Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 15-vjetorin e shpalljes së mendimit këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) për ligjshmërinë e deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook e cilësoi këtë moment si një ndër momentet më të rëndësishme në afirmimin ndërkombëtar të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje dhe liri.

“Sot bëhen 15 vite nga shpallja e Mendimit Këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Mendimi Këshillëdhënës i GjND-së i dha dritë njohjes vendimtare të së drejtës së popullit të Kosovës për shtetformim, vetëvendosje e liri. Ajo do mbetet akt i vulosjes së ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në të drejtën ndërkombëtare, dëshmi për legjitimitetin ndërkombëtar të së drejtës për vetëvendosje të popullit të Kosovës dhe akt konfirmues i evidencës shoviniste e kolonizuese të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Sipas kryeministrit në detyrë, mendimi këshillëdhënës është një nga momentet më frymëzuese në marrëdhëniet ndërkombëtare për siç tha “për shkak se i jep shpresë e vullnet popujve liridashës që drejtësia ndaj kauzës së tyre më në fund edhe mund të triumfojë”.

“Vlera juridike e këtij Mendimi, nuk do mend, do t’i shërbejë gjeneratave të juristëve si një mësim për parimësinë dhe etikën në vendosjen e interpretimin e vlerave universale. Ajo do mbetet edhe një mësim për Serbinë, e cila me nxitim loboi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta pyetur Gjykatën për ligjshmërinë e pavarësisë së Republikës sonë. Nxitimi i saj u kthye në një humbje të madhe të politikës serbomadhe, e po ashtu simbolikisht një kujtim për viktimat e kolonizimit, diskriminimit sistematik e gjenocidit të saj”, ka shkruar Kurti në Facebook. /Telegrafi/