Please enter at least 3 characters.

14 bursa për studentët nga Vushtrria që studiojnë në Universitetin e York-ut në Selanik

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të ndahen 14 bursa studimi për studentët nga kjo komunë për studime në Kampusin Evropian të Universitetit të York-ut në Selanik, për vitin akademik 2026/2027.

Sipas njoftimit të tij, shtatë bursa do të mbulohen plotësisht nga Komuna e Vushtrrisë dhe Universiteti, ndërsa shtatë të tjera do të financohen në masën 50 për qind nga Universiteti dhe 50 për qind nga vet studenti.

“Edhe këtë vit, studentët e Vushtrrisë kanë mundësinë të studiojnë në Kampusin Evropian të Universitetit të York-ut në Selanik, ku do të ndahen 14 bursa për vitin akademik 2026/2027”, ka shkruar Idrizi.

Ai ka bërë të ditur se bursat do të ndahen për studime Bachelor, Master dhe MBA në programe të ndryshme, përfshirë Shkencat Kompjuterike, Psikologjinë, Biznesin, Shkencat Humane dhe Drejtësinë.

“7 bursa do të mbulohen 100% nga Komuna e Vushtrrisë dhe Universiteti, ndërsa 7 bursa do të mbulohen 50% nga Universiteti dhe 50% nga vet studenti”, ka theksuar kryetari i Vushtrrisë.

Afati i fundit për aplikim është 20 shkurt 2026, ndërsa të interesuarit mund të gjejnë detajet e plota për aplikim dhe programet studimore në faqen zyrtare të Komunës së Vushtrrisë.

“Mos e humbisni këtë mundësi”, ka apeluar Idrizi.

Komuna e Vushtrrisë ka bërë të ditur se kjo nismë synon të mbështesë studentët dhe të rrisë qasjen në arsim cilësor në institucionet ndërkombëtare. /Telegrafi/