LAJMI I FUNDIT:

Ambasadori amerikan Hovenier thotë sektori privat në Kosovë po luan rol të rëndësishëm

Ambasadori amerikan Hovenier thotë sektori privat në Kosovë po luan rol të rëndësishëm

Gjatë një fjalimi kryesor në Gala Darkën e Bamirësisë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier tha se pjesëtarët e sektorit privat luajnë rol të rëndësishëm.

Hovenier theksoi se bizneset kanë rëndësi në diversifikimin e energjisë, fuqizimin ekonomik dhe sundimin e ligjit.

Duke folur për diversifikimin e energjisë, ambasadori amerikan tha se termocentralet e vjetra të Kosovës kanë ndikim të rëndësishëm në parashikueshmërinë e furnizimit me energji, në shëndetin e qytetarëve, dhe në tërheqjen e investitorëve potencialë.


Ambasadori theksoi rëndësinë e fuqizimit gjithëpërfshirës ekonomik, duke nënvizuar se 16 ditët e aktivizmit kundër dhunës gjinore. Ai tha se kur gratë gëzojnë mundësitë e barabarta të garimit në biznes, atëherë ato performojnë shumë mirë.

Hovenier kërkoi nga OEAK të luajë rol udhëheqës në shoqërinë e Kosovës për të mundësuar eliminimin e barrierave në zhvillimin profesional, dhe heqjen e pengesave me bazë gjinore ndaj njerëzve, ashtu që të gjithë të jemi kampionë të sigurimit të një mjedisi të barabartë

Po ashtu, ambasadori mirëpriti përpjekjet e Kosovës për luftimin e korrupsionit, duke shtuar se Qeveria e SHBA-së është e përfshirë në përkrahjen e këtyre përpjekjeve, duke përfshirë edhe rolin aktiv të USAID-it në themelimin e gjykatës komerciale.

Në fund, ambasadori falënderoi bizneset për ndihmën në avancimin e vizionit të përbashkët për një Kosovë sovrane, të pavarur, të suksesshme dhe prosperuese që është mision i përbashkët i Ambasadës së SHBA-së dhe i OEAK-ut. /Telegrafi/