Ambasada e SHBA-së mirëpret formimin e institucioneve: Presim bashkëpunim me Qeverinë e re

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka mirëpritur formimin e insitucioneve në vend.
Në një postim në Facebook, ambasada e ka cilësuar formimin e Qeverisë dhe konstituimin e Kuvendit, si një hap të rëndësishëm në forcimin e institucioneve demokratike të vendit.
"Ambasada e SHBA-së mirëpret formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Ne mezi presim të punojmë me Qeverinë e re për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë ekonomik", thuhet në njoftim.
Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme të mbajtur të mërkurën, ka votuar për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti dhe me një kabinet prej 19 ministrish, ka marrë mbështetjen e 66 deputetëve, ndërsa 49 kanë votuar kundër dhe asnjë nuk ka abstenuar.
Seanca për votimin e qeverisë është zhvilluar menjëherë pas seancës konstituive të Kuvendit, në të cilën u inaugurua legjislatura e dhjetë, e dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 28 dhjetor. /Telegrafi/




















































