Një drejtues i lartë i Amazon ka thënë se gjiganti amerikan i teknologjisë ka bllokuar më shumë se 1,800 aplikime për punë nga agjentë të dyshuar të Koresë së Veriut.

Koreano-veriorët u përpoqën të aplikonin për punë në distancë në IT duke përdorur identitete të vjedhura ose të rreme, tha shefi i sigurisë së Amazon, Stephen Schmidt, në një postim në LinkedIn.


"Objektivi i tyre është zakonisht i thjeshtë: të punësohen, të paguhen dhe të kanalizojnë pagat për të financuar programet e armëve të regjimit", tha ai, duke shtuar se ky trend ka të ngjarë të ndodhë në shkallë të gjerë në të gjithë industrinë, veçanërisht në SHBA.

Autoritetet në SHBA dhe Korenë e Jugut kanë paralajmëruar për operativët e Phenianit që kryejnë mashtrime online.

Amazon ka parë një rritje prej gati një të tretës së aplikimeve për punë nga koreano-veriorët gjatë vitit të kaluar, tha zoti Schmidt në postimin e tij.

Ai theksoi se operativët zakonisht punojnë me njerëz që menaxhojnë "ferma laptopësh" - duke iu referuar kompjuterëve të vendosur në SHBA që drejtohen nga distanca nga jashtë vendit.

Firma përdori një kombinim të mjeteve të inteligjencës artificiale (IA) dhe verifikimit nga stafi i saj për të kontrolluar aplikimet për punë, bëri të ditur ai.

Strategjitë e përdorura nga mashtrues të tillë janë bërë më të sofistikuara, tregoi zoti Schmidt. /Telegrafi/