Aleanca e dezinformimit: Si u amplifikuan pretendimet e rreme të Vuçiqit për takimin Kurti-Macron nga rrjeti rus

Deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në televizionin “Prva TV” në Beograd, lidhur me vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Paris, janë amplifikuar gjerësisht nga mediat pro-Kremlinit dhe rrjetet sociale, duke u paraqitur si fakte të mirëqena, pa verifikim të pavarur.
Një ditë para takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin francez, Emmanuel Macron, më 27 mars 2026, Vuçiq pretendoi se Kurti kishte shkuar në Paris me “dy kërkesa”: që Serbisë t’i vendoset kusht për të mos përdorur kurrë armë kundër shqiptarëve dhe që NATO të largohet nga zona tokësore e sigurisë, në mënyrë që Forca e Sigurisë së Kosovës të shtrihet në veri të vendit.
Vuçiq pretendoi se “agjendën e Kurtit në Paris” e ka mësuar përmes “njerëzve tanë në rrethin e Kurtit”.
Mes tjerash, Vuçiq ka thënë se shpreson që NATO-ja “nuk do t’i mbështesë këto kërkesa dhe jam i sigurt që as Macron nuk do i mbështesë”.
Këto pretendime të presidentit të Serbisë u kundërshtuan menjëherë nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arlind Manxhuka. Ai ka thënë se deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pjesë e një lufte speciale dhe hibride kundër Kosovës.
Sipas Manxhukës, qëllimi i Vuçiqit ishte të tërhiqte vëmendjen e mediave drejt deklaratave të tij në vend se te zhvillimet diplomatike të Kosovës.
“Qëllimi i Vuçiqit ishte që të merren mediet me deklaratën e tij në një lufte speciale e hibride tipike për UDB-në famëkeqe, në vend se me mikpritjen që i bëri presidenti francez, Emannuel Macron, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në këtë vizitë të frytshme me takim e drekë pune dyorëshe.”- ka thënë Manxhuka.
Ai shtoi se kjo qasje synon të zhvendosë fokusin nga avancimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës dhe të minimizojë rëndësinë e angazhimeve diplomatike në nivel të lartë.
Por, mediat ruse të kontrolluara nga Kemlini u kujdesën që deklaratat e paverifikuara të presidentit të Serbisë t’i shumfishojnë dhe t’i ekzagjerojnë edhe më tej, duke i shtyrë narrativat dezinformuese të tyre.
Rrjeti propagandistik rus “Pravda”, i njohur për shpërndarjen e dezinformatave në mbi 80 shtete të botës dhe në dhjetëra gjuhë të ndryshme, i ka kushtuar vemendje të shtuar deklarimit të Vuçiqit.
Në artikullin e publikuar, që për burim ka rrjetin në “Telegram” “balkaner”, e bën si punë të kryer kërkesën e Kurtit për largimin e KFOR-it nga katër komunat veriore.
Ata kujdesen për të çuar përpara narrativën dezinformuese të Kremlinit se në këto komuna ka shkelje të të drejtave të njeriut dhe se jetësimi i kërkesës së Kurtit nënkupton përndjekje të serbëve.
Por, raporti i BIRN Kosova dhe Internews Kosova argumenton se “Pravda” dhe mediat e tjera të kontrolluara nga Kremlini e kanë shtyrë këtë narrativë edhe në të kaluarën, madje duke tentuar që t’i akuzojnë edhe institucionet ndërkombëtare. Në raportin me titullin “Hartëzimi i Dezinformatave” argumentohet se ky pretendim i mediave të kontrolluara nga Kremlini është i rremë, pasi nuk ka asnjë fakt mbështetës që Qeveria e Kosovës apo KFOR synojnë përndjekjen e serbëve.
Ndërsa, “Russia Today Serbia” ia ka kushtuar katër artikuj deklaratës së Vuçiqit për vizitën e Kurtit në Francë.
Katër artikujt e “Russia Today” ndërtojnë një narrativë të përbashkët ku veprimet dhe deklaratat e Albin Kurtit interpretohen kryesisht përmes qëndrimeve të Aleksandar Vuiçiq dhe analistëve serbë.
Artikulli i parë fokusohet në takimin mes Albin Kurtit dhe Emmanuel Macron, por analiza nuk bazohet në deklarata zyrtare nga pala kosovare apo franceze, përkundrazi, mbështetet kryesisht në interpretimet të analistëve serbë.
Ndërsa, artikulli i dytë me titull “Ku po çon ideja e Kurtit për tërheqjen e KFOR-it?”, theksin e ka të zgjerimi i artikullit të parë, me fokus të veçantë te KFOR, duke tentuar të shtyjnë përpara narrativën dezinformuese se synimi final është përndjekja e serbëve.
Edhe artikulli i tretë është i ndërtuar kryesisht mbi deklaratat e Aleksandar Vuçiq, pasi Vuçiq pretendon se Kurti ka “ekzagjeruar” ose “shpikur” gjëra nga takimi me Macron.
Në të njëjtën linjë raportimi është vërejtur edhe “Sputnik”, i bazuar tërësisht në deklaratat e Aleksandar Vuçiqit.
Deklarimet e Vuçiqit rreth vizitës së Kurtit në Francë dhe pretendimet e tij se i di edhe temat që do t’i ngrejë Kurti janë publikuar edhe në disa faqe në gjuhën shqipe (shih Kosova Info +, dhe TeleshkronjaPost News).
E në disa faqe në rrjetet sociale deklarata e Vuçiqit u shpërnda pa kontekst, madje duke e bërë si punë të kryer që Kurti ka kërkuar largimin e KFOR-it nga veriu i Kosovës.
Një faqe në TikTok (arkiva) ka shpërndarë një fotografi të Kurtit në Paris ndërsa në përshkrim thuhet “Albin Pozharevci, dje në Paris kërkoi që të tërhiqet KFOR-i nga veriu i vendit dhe të zbatohet Aneksi i Ohrit i vitit 2023. Pra, përfshi aty edhe Nenin 7, e cila u jepë serbëve autonomi me kompetenca ekzekutive në plotë dhjetë (10) komuna të Kosovës, si dhe eksterritorialitet për shtatë (7) kisha dhe manastire të a.q. serbe, që do të thotë, krijimin e shtatë (7) mini-shteteve kishtare serbe. Poashtu, aty përfshihet edhe Neni 10, i cili kërkon zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të vitit 2013. Ky definitivisht e ka vendosë me e shkatërru shtetin e Kosovës”.
Ky përshkrim në TikTok është në linjë me narrativën dezinformuese të Vuçiqit.
Më 30.03.2026, në grupin në Facebook “Liria ka emër” (arkiva) është publikuar një fotografi nga takimi në Paris mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Në fotografi është vendosur një mbishkrim që pretendohet se është një shkrim i nxjerrë nga gazeta franceze “Le Monde”.
“Gazeta prestigjioze franceze ‘Le Monde’ zbulon prapaskenat e takimit Kurti-Macron. Kurti u zotua për fillimin e implementimit të marrëveshjes që u sjell serbëve autonomi të fortë dhe status special për kishat, sipas modelit të Athosit në Greqi”- pretendohet në postim.
Krypometër ka kërkuar në uebfaqen e “Le Monde” nëse është shkruar mbi takimin Kurti- Macron, mirëpo shkrimi i fundit për Kurtin në gazetën franceze është kur ai u rizgjodh kryeministër i vendit në shkurt të këtij viti.
Megjithatë, komunikatat zyrtare tregojnë një pasqyrë tjetër të takimit në Paris.
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, takimi ndërmjet Kurtit dhe Macronit është përqendruar në bashkëpunimin bilateral, integrimin europian dhe sigurinë rajonale.
Në këtë kontekst, është theksuar roli i vazhdueshëm i KFOR-it dhe misioneve të Bashkimit Europian në Kosovë.
Në komunikatë nuk përmendet asnjë kërkesë e tillë si ato të pretenduara nga Vuçiq, përfshirë largimin e NATO-s apo kushte të veçanta ndaj Serbisë. Përkundrazi, theksi vihet te bashkëpunimi me aleatët euroatlantikë, dialogu me Serbinë dhe përkushtimi ndaj integrimit në Bashkimin Europian.
“Nga Presidenti Macron kërkova mbështetjen e Francës në rrugën tonë drejt integrimit në BE e organizata ndërkombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik përmes organizimit të forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë”- ka thënë Kurti./KALLXO.



















































