Aktori amerikan Corey Parker, i cili mbahet mend nga publiku për rolin e tij në serialin e njohur "Will & Grace" dhe filma e seriale të shumtë nga vitet 1980 dhe 1990, vdiq në moshën 61 vjeçare pas një beteje me kancerin.

Siç raportohet nga mediat e huaja, Parker vdiq të enjten në Memphis, në shtetin amerikan të Tennessee.


Informacioni për vdekjen u konfirmua nga tezja e tij Emily Parker, por ajo nuk zbuloi se për çfarë lloj kanceri bëhej fjalë.

Gjatë karrierës së tij, Parker luajti role të shumta në Hollywood dhe u shfaq në ekran për herë të parë në mesin e viteve 1980.

Ndër projektet e tij të mëparshme ishte filmi horror "Friday the 13th: A New Beginning", në të cilin ai portretizoi personazhin e Pete.

Jo shumë kohë më vonë, ai u shfaq në dramën romantike "9½ Weeks", ku luajti përkrah aktorëve të famshëm Kim Basinger dhe Mickey Rourke.

Audienca televizive e njohu më vonë atë nëpërmjet rolit të tij kryesor në "Flying Blind".

Gjatë karrierës së tij, Parker u shfaq në filma dhe seriale të shumta televizive, duke përfshirë "Biloxi Blues", "White Palace", si dhe serialet "The Love Boat: The Next Wave", "Nashville" dhe "Blue Skies".

Në vitet e tij të fundit, u tërhoq nga aktrimi dhe iu përkushtua punës me kolegë më të rinj.

Ai punoi si trajner aktrimi në projekte të tilla si seriali “Sun Records” dhe “Ms. Marvel”. /Telegrafi/