Aktakuzë kundër një rrjeti të organizuar për trafikim me narkotikë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve M.Q., SH.R., H.Q dhe S.Q për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”.
Prokuroria po ashtu ka ngritur aktakuzë kundër H.Q., për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
"Të pandehurit M.Q., SH. R., H.Q dhe S.Q., duke vepruar si anëtarë të grupit në vazhdimësi që nga viti 2015 deri në 13 mars 2018, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi si dhe në vende tjera të Evropës si në Austri, kanë vepruar pa autorizim për blerje, shpërndarje, shitje, transport, eksport, si dhe, kanë dorëzuar, ndërmjetësuar, dërguar, në transit, eksport substanca të cilat janë të shpallura me ligj si narkotik- substanca psikotrope, me qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimit për shitje, në mënyre që të përfitojnë mjete financiare në vlera të larta", thuhet në njoftim.
Prokuroria thekson se me këto veprime të pandehurit në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “blerje, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike”. /Telegrafi/
Foto: Ilustrim




















































