Prokuroria Speciale më 01.08.2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të cilët po akuzohen për kanosjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, në deklaratën e dhënë në Prokurorinë Speciale, i pandehuri Faton Klinaku më datë 08.11.2023, ka deklaruar se nuk është e vërtetë se ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se nuk e ndjehet fajtor ngase konsideron se përmbajtjet në postimet e tij në rrjetin social “Facebook” nuk janë kërcënime.


Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka pohuar se postimet në profilin e tij në “Facebook” të datës 29.08.2023 dhe të datës 30.08.2023 janë të tij dhe se akoma ekzistojnë si të tilla dhe se në asnjë mënyrë nuk ka të bëj me kërcënim për vrasje ndaj Albin Kurtit.

“Lidhur me postimin e tij ‘Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova’ thotë se e ka përsëritur pas publikimit të mediave pasi që të njëjtat e kanë quajtur postimin e tij skandaloz, kërcënues dhe përveç sharjeve the fyerjeve në portale nga militant të ‘Vetëvendosjes’ dhe kërcënimeve që ia kanë bërë edhe privat në ‘Facebook’ të njëjtën e ka postuar me qëllim që me ndal opinionin publik të cilët e fyenin, shanin dhe kërcënonin”, citohet në aktakuzë të ketë thënë tutje i pandehuri Klinaku.

Po ashtu sipas aktakuzës, në deklaratën e dhënë në Prokurorinë Speciale, më datë 08.11.2023, i pandehuri Klinaku ka deklaruar se nuk ka bërë kurrfarë kërcënimi ndaj Kurtit dhe se kurrë nuk mendon që ta kërcënoj dikë e as kryeministrin.

“I njëjti shton se ka mundur të reagoj edhe ndryshe por edhe me këtë sipas tij nuk ka bërë kurrfarë kërcënimi ndaj kryeministrit dhe se kurrë nuk mendon që ta kërcënoj dikën e as Kryeministrin”, citohet në aktakuzë.

Ndërsa, i pandehuri Nuredin Selmani më datë 12.12.2023, në deklaratën e dhënë në Prokurorinë Speciale, ka deklaruar se i pranon veprimet e bëra dhe ndjen keqardhje.

I njëjti është arsyetuar se kishte qenë në ndikimin e alkoolit kur kishte ndërmarr ato veprime.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se i njëjti po ashtu ka deklaruar se gjatë inkuadrimit në Debat Plus në TV Dukagjini ka qenë në një lokal duke pirë pije alkoolike, dhe në ato çaste dikush nga emisioni “Debat Plus” e kishte thirre që ta pyes diçka lidhur me këtë çështje (postimin kërcënues të bere ndaj të dëmtuarit dhe mbështetjen që kishte pasur ndaj postimit paraprak të pandehurit Klinaku) dhe që paraprakisht i njëjti e ka fshirë postimin e bërë, meqë e ka kuptuar se ishte i papërshtatshëm.

“I njëjti deklaron se ashtu nën ndikimin e alkoolit pak edhe në afekt i ka thënë ato fjalë që nuk është dashtë me i thënë, për çka i njëjti ka shprehur keqardhje dhe pendohet për ato fjalë. I njëjti ka deklaruar se po ashtu edhe moderatori i emisionit e ka provokuar shumë, dhe në ato rrethana të njëjtin e ka nxjerrë nga konteksti”- citohet në aktakuzë të ketë deklaruar tutje Selmani.

“I njëjti ka deklaruar se është e vërtetë se këto postime i ka bërë për çka edhe ka shprehur pendesë të sinqertë dhe se në asnjë mënyrë nuk ka dashur ta kërcënoj kryeministrin e Republikës së Kosovës, e as dikën tjetër”, citohet tutje në aktakuzë.

Po ashtu, më datë 10.06.2025, Albin Kurti, kryeministri në detyrë ka dëshmuar para Policisë në cilësinë e të dëmtuarit dhe në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin ku Faton Klinaku edhe Nuredin Selmani po akuzohen nga Prokuroria Speciale për kanosje ndaj tij.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, Albin Kurti më datë 10.06.2025, në lidhje me postimet dhe kërcënimet për vrasjen e tij nga të pandehurit e lartcekur ka deklaruar që beson përkushtimin, profesionalizmin dhe përgjegjshmërinë e organeve të rendit dhe sigurisë dhe se nuk ndihet i kërcënuar apo i rrezikuar.

Dosja e Prokurorisë

Sipas aktakuzës, i pandehuri Faton Klinaku më datë 29.08.2023, në Prishtinë, me dashje dhe me qëllim që ta frikësoj dhe detyroj personin zyrtar, tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmerr ose mos ndërmerr veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, i pandehuri Klinaku, seriozisht dhe publikisht e ka kanosur përmes profilit të tij personal në rrjetin social “Facebook”.

“Aq shumë i dëshpëruar votuesi i tij sa që tha: Votën ia dhashë për ndryshim, e ndryshim lëre që nuk ka bërë por po shkojmë edhe më shumë te poshtë si vend dhe s’ka mbetur tjetër gjë pos me ikë jashtë. I thashë: As se kam votu, as ndryshim për të mirë kurrsesi që nuk kam pritur nga ai, e sa i përket daljes jashtë, më parë e vras Albin Kurtin se sa që ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova.

Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të” – citohet në aktakuzë të ketë shkruar Faton Klinaku në rrjetin social “Facebook”.

Në aktakuzë thuhet se pas reagimeve të opinionit publik në lidhje me kërcënimin e lartcekur, i pandehuri Klinaku më datë 30.08.2023, ka përsëritur një shkrim po ashtu me përmbajtje të njëjtë kërcënuese ndaj tani të dëmtuarit Kurtit.

“Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras Albin Kurtin sesa ia lëshoj rrugën e iku nga Kosova”- citohet të ketë shkruar tutje Klinaku në “Facebook”.

Me këto veprime, i pandehuri Klinaku, publikisht dhe seriozisht e ka kanosur me vrasje të dëmtuarin Albin Kurtin, për shkak të punës së tij zyrtare, si kryeministër i Qeveris së Republikës së Kosovës.

Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura, i pandehuri Faton Klinaku nga Prokuroria Speciale po akuzohet se e ka kryer veprën penale “Kanosja”.

Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhet se më datën 30.08.2023, në Drenas, me dashje dhe me qëllim që ta frikësoj dhe detyroj personin zyrtar, tani të dëmtuarin, Albin Kurti, në cilësinë e tij si kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të ndërmerr ose mos ndërmerr veprime të caktuara në kuadër të ushtrimit të detyrës së tij zyrtare, seriozisht dhe publikisht e ka kanosur përmes profilit të tij personal në rrjetin social “Facebook” me emrin “Nuredin Drenica”.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti duke ju referuar postimit kërcënues të bërë nga i pandehuri Faton Klinaku, të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me ç ‘rast, i pandehuri Selmani ka postuar publikisht një fotografi në të cilën është montuar fotoja e të dëmtuarit Kurti, krahas asaj të pandehurit Faton Klinaku, duke e shoqëruar me një shkrim kërcënuese të adresuar ndaj të dëmtuarit Albin Kurti.“E mbështes Faton Klinakun”, “Veç ni telefon ma ban Faton, aty mki për çka të ka nevojë, mezi s’po pres me ja nisë” – citohet të ketë shkruar Selmani në rrjetin social ‘’Facebook”.

Tutje sipas aktakuzës ndërsa në mbrëmje të po të njëjtës datë i pandehuri inkuadrohet drejtpërdrejtë në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, në të cilin po trajtohej debati me temë ”OVL-UÇK vs Kurti”, i pandehuri nga minuta 30:00 e emisionit, përmes lidhjes me videolink, pas pyetjeve të moderatorit të emisionit, kishte deklaruar: “Unë konsideroj që çdo njëri i cili bon të këqija siç bon Albin Kurti, edhe po të isha unë në vendin e tij, duhet të vritet patjetër, sepse ajo është tradhti ndaj atdheut”.

Me këto veprime, i pandehuri Selmani publikisht dhe seriozisht e ka kanosur me vrasje të dëmtuarin Albin Kurti, për shkak të punës së tij zyrtare, si Kryeministër i Qeveris së Republikës së Kosovës, e të cilat kërcënime i kishte shprehur edhe me disa bashkëbisedues tjerë, gjatë komunikimeve telefonik që i janë gjetur nga ekzaminimi i telefonit të tij, duke përfshirë edhe disa fotografi, ku i pandehuri shihet në posedim edhe të disa armëve të gjata luftarake.

Për shkak veprimeve të lartpërmendura i akuzuari Nuredin Selmani nga Prokuroria Speciale po akuzohet se e ka kryer veprën penale: “Kanosja”.

KALLXO.com më 01.08.2025 kishte raportuar se Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave, të dyshuar për kanosje ndaj kryeministrit, tash në detyrë, Albin Kurtit. Po ashtu më 01.08.2025  përmes një postimi në Facebook, Klinaku ka thënë se është informuar nga mediat për aktakuzën dhe sipas tij, as avokati i tij nuk ka qenë i njoftuar.

“Edhe pse unë po informohem nga mediat dhe për këtë nuk di asgjë e as avokati im, mezi nuk po pres të ballafaqohem me A. K., të cilin edhe do ta ftoj si dëshmitar në gjykatë” – kishte shkruar ai në Facebook Në një përgjigje për KALLXO.com, Klinaku nuk ka pranuar të komentojë rastin, duke kërkuar që t’i referohemi postimit të tij.