Site icon Telegrafi

Operacioni “Brezovica”, prokurori Maloku: Janë ngrirë rreth 6 milionë euro që u përkasin të arrestuarve dhe familjarëve të tyre

Bastisje dhe arrestime janë kryer sot në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe nëntë lokacione të tjera në Prishtinë, Ferizaj dhe Shtërpcë.

Prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Rasim Maloku, ka thënë se aksioni i filluar në Brezovicë do të vazhdojë.

Ai thotë se edhe pesë persona të tjerë në këtë rast nuk janë gjendur në shtëpi në momentin kur janë kërkuar nga policia.

“Më e rëndësishmja është se gjatë zhvillimit të hetimeve, nga të dhënat financiare që kemi siguruar nga bankat që posedojnë të pandehurit dhe familjarët e tyre kemi ngrirë rreth 6 milionë euro. Shumica e këtyre mjeteve janë të vetë të pandehurve kurse një pjesë e tyre janë të familjarëve që dyshohet se janë përfituar si dobi pasurore nga veprat penale.”, tha Maloku përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Operacioni “Brezovica”- ndalohen për 48 orë, ish-sekretari dhe kryeinspektori i Ministrisë së Mjedisit

Ai paralajmëroi se aksione të ngjashme si sot dhe ai më herët do të zhvillohen sërish.

Shefi i hetimeve të krimeve të rënda, kapiteni Agron Haziri, thotë se katër persona janë arrestuar derisa njëri prej tyre është liruar me procedurë të rregullt, derisa për tre të tjerë është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.

“Katër persona të arrestuar, një i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, tre janë në mbajtje për 48 orë. Pesë janë në kërkim policorë”.

Haziri thotë se personat e apostrofuar pos veprave tjera penale kanë penguar edhe hetimet.

“Është sekuestruar edhe një makinë BMW, armë dhe municion, një shtëpizë kompjuteri, një uniformë policie e sistemit jugosllav, një antiplumb dhe dokumente të ndryshme”, deklaroi tutje Haziri./Telegrafi/

 

Exit mobile version