Aksion vullnetar i dhurimit të gjakut në Podujevë, kryetari Bulliqi falënderon qytetarët

Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë organizuan një aksion vullnetar për dhurim gjaku, i cili u zhvillua në ambientet e Urgjencës së re të qytetit.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte përmbushja e nevojave të pacientëve dhe sigurimi i gjakut për trajtimin e rasteve emergjente në spitalet e Kosovës, përcjell Telegrafi.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi qytetarët për përgjigjen e tyre të shpejtë dhe pjesëmarrjen aktive në këtë iniciativë humanitare.
“Ky është një shembull i mirë i humanizmit të qytetarëve. Dhurimi i gjakut nga ata që gëzojnë shëndet të mirë mund t’ua shpëtojë jetën atyre që janë duke u trajtuar në spitalet e Kosovës”, tha Bulliqi.
Aksioni u prit me interesim të madh nga qytetarët, duke reflektuar vullnetin e komunitetit për të kontribuar në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të tjerëve. /Telegrafi/



















































