Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku ku janë përfshirë tetë automjete, në rrugën Zhur–Prizren, në drejtim të pikëkalimit kufitar në Vërmicë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i cili tha se rruga është e bllokuar përkohësisht, ndërsa shoferët u bëri thirrje të përdorin rrugë alternative.


“Apelojmë tek të gjithë shoferët, që gjatë vozitjes të respektojnë rregullat e trafikut, të zvogëlojnë shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e tyre dhe të tjerëve. Pas raportimeve shtesë nga kompetentët do të njoftoheni për informacione tjera”, tha Hoxha.

Autoritetet policore dhe ekipet e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të menaxhuar situatën dhe për të ofruar ndihmë të lënduarve.