LAJMI I FUNDIT:

AKP: Privatizimi i KT “Brezovica” është shtyrë për shkaqe teknike

AKP: Privatizimi i KT “Brezovica” është shtyrë për shkaqe teknike

Ngecja e privatizimit të Kompleksit Turistik “Brezovica” nuk është pasojë e ndërhyrjeve politike nga Serbia, thonë zyrtarët e Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Ata thonë se përfshirja dhe më pas tërheqja nga lista e privatizimit të tri ndërmarrjeve periferike është bërë për çështje teknike. Por, ekspertë të ekonomisë thonë se AKP-ja nuk mund të bëjë privatizimin e këtij kompleksi pa pëlqimin e Serbisë dhe serbëve lokalë.

Prishtinë, 30 nëntor-Bordi i AKP-së dy herë përfshiu në listë të shitjeve tri ndërmarrje të vogla të kompleksit turistik Brezovica; “Kafeterinë Shtërpcë”, “Restorant Kasollja Brezovicë” dhe “Kasollja e vogël me trungje Murzhicë-Brezovicë”, por i hoqi ato fillimisht nga rrethi i 40-të e më vonë edhe nga ai i 41-të i privatizimit.

Zëvendësdrejtori menaxhues i AKP-së, Shkumbin Bicaj, thotë se bordi i ka hequr ato nga lista e shitjes, sepse ka vendosur të punojë në tërë kompleksin, duke përfshirë edhe pjesën e terrenit të skijimit. Por, ai nuk pranon se privatizimi i këtij kompleksi është i lidhur me çështje politike.

“Në asnjë mënyrë, absolutisht nuk ka ndikime të tilla që pretendohet nga Republika e Serbisë, apo instanca tjera politike të Republikës së Serbisë. Roli dhe mandati i AKP-së është shumë i qartë, d.t.th., është i vetmi institucion që ka autorizime të plota që delegohen nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, mbi të gjitha ndërmarrjet shoqërore që janë në Kosovë dhe asetet e tyre”, sqaron Bicaj.


Mirëpo, eksperti i ekonomisë, Isa Mulaj, thotë se vonesat dhe ngecjet e privatizimit të kompleksit Brezovica janë rrjedhojë e problemeve të trashëguara nga agjencia paraardhëse, ajo e mirëbesimit. Por,sipas Mulajt, për privatizimin e atij kompleksi, AKP-ja duhet të marrë edhe pëlqimin e serbëve të komunës së Shtërpcës dhe të qeverisë së Beogradit, për shkak të investimeve që kane bërë atje.

Jozyrtarisht merret vesh se tërheqja e këtyre ndërmarrjeve nga procesi i privatizimit është bërë për shkak se AKP-ja nuk kishte marrë më parë pëlqimin e serbëve lokalë.

Ndërkohë, zëvendës drejtori i AKP-së, Shkumbin Bicaj pohon se privatizimi i këtij kompleksi do të fillojë gjatë vitit të ardhshëm.

Ndryshe, Brezovica është qendër kosovare e turizmit dimëror dhe veror në Malet e Sharrit, që ka një sipërfaqe prej 230 hektarë tokë. Shtigjet e skijimit gjenden 12 kilometra larg Shtërpcës. Kjo qendër ka disa hotele që ofrojnë shërbime cilësore të kategorive më të larta, ndër to Hoteli “Narcis” i kategorisë së parë, pastaj Hoteli “Molika”, i cili gjendet pranë shtigjeve të skijimit etj.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, privatizimi sa më i shpejtë i këtij kompleksi do ta rigjallëronte dukshëm turizmin vendor. (rtk)