Kolegjiumi i Drejtorëve Komunalë të Arsimit në kuadër të Asociacionit i Komunave të Kosovës (AKK) në takimin e saj të fundit shpreh shqetësimin e thellë për mungesën e komunikimit dhe bashkëpunimit institucional nga ana e Ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila tashmë pothuajse që një vit nuk ka zhvilluar asnjë takim me drejtuesit komunalë të arsimit, e të cilët janë aktorët kryesorë të zbatimit të politikave arsimore në terren.

Kështu ka thënë për Telegrafin, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi i cili po ashtu tha se kjo qasje përjashtuese e dëmton seriozisht përpjekjen për ndërtimin e një sistemi arsimor funksional, të drejtë dhe cilësor, dhe përbën pengesë të drejtpërdrejtë në adresimin e sfidave të shumta me të cilat përballen komunat.


"Gjatë takimit të fundit të Kolegjiumit për Arsim të organizuar nga AKK, u diskutuan në mënyrë të hapur dhe profesionale sfidat më të mëdha që po e ngulfasin arsimin parauniversitar në vend. Disa nga çështjet më urgjente janë: Procedurat e ngadalta burokratike për zëvendësimin dhe punësimin e mësimdhënësve, që po shkaktojnë mungesa të vazhdueshme në procesin mësimor. Formula jo-adekuate e financimit, e cila nuk pasqyron realitetet dhe nevojat e ndryshme të komunave, duke krijuar pabarazi në cilësinë e ofrimit të arsimit. Zbatimi i Kontratës Kolektive, i cili ka gjeneruar barrë të papërballueshme financiare për komunat, shpesh duke çuar në përmbarime dhe paralizë buxhetore", tha ai.

Tutje Ibrahimi tha se Kolegjiumi për Arsim riafirmoi gatishmërinë për të bashkëpunuar me MASHTI-n, por ky bashkëpunim nuk mund të zhvillohet në njëanshmëri, izolim dhe injorim të rolit të komunave.

"I bëjmë thirrje ministres Nagavci që urgjentisht të thërrasë një takim me drejtuesit komunalë të arsimit, për të dëgjuar nga afër sfidat reale dhe për të ndërtuar bashkë zgjidhje konkrete. Arsimi nuk mund të menaxhohet nga zyra, pa konsultim dhe pa marrë parasysh realitetin në terren", ka thënë ndër të tjera Ibrahimi. /Telegrafi/