LAJMI I FUNDIT:

AKILI I MUZIKËS!

AKILI I MUZIKËS!

Akil Koci është emër i respektuar në qarqet muzikore dhe intelektuale, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Ai, merret si një nga themeluesit e kompozimit në Kosovë, por edhe si autori i njërës nga Operat e para, ‘Sokoli e Mirusha’, e cila kishte zgjuar një interesim të madh. Tërë jetën muzikë dhe për muzikën, ky do të ishte profili artistik i mr. Akil Kocit.

Bisedoi: Shaqir Foniqi


Koci, disa vjet ishte profesor i muzikës në Prishtinë, redaktor i muzikës në RTP si dhe kompozitor i shquar i shumë veprave muzikore, të cilat janë ekzekutuar me mjaft sukses edhe jashtë Kosovës.

Akil Koci, aktualisht jeton dhe vepron në Londër, ku udhëheq një shkollë të rinjsh, por edhe merret me shkrimin e veprave, nga fusha e muzikologjisë

Zoti Koci, jeni njëri ndër kompozitorët e parë dhe të rrallë të Kosovës. Ishte një profesion deficitar që të bënte krenar?

Në kohën kur kam vendos që të merrem me muzikë ka qenë kohë e vështirë, jo vetëm nga aspekti social e ekonomik, por edhe artistik. Formimi i institucioneve kulturore shkonte ngadalë, shkolla e muzikës e ultë u formuar 1948 ,kurse e mesmja 1953. Pas gjimnazit u regjistrova në Shkollën e Mesme, ishte një profesion jo fort i lakmueshëm, kështu mendonin prindërit e mi, kurse unë isha shumë i interesuar nga se kisha njohuri, sepse këndoja në korin e Kishës katolike në Prizren e më pastaj edhe në korin e Shoqërisë kulturo artistike "Agimi". Kur na shihnin me violina në dorë rrugës, na quanin "jevgjit e bardhë", sepse në atë kohë vetëm ata u merrnin me muzikë. Nga ajo shkollë doli një plejadë e muziktarëve dhe kompozitorëve të njohur. Pra, profesionin i muziktarit është disi i vështirë aq edhe i këndshëm. Po të lindja përsëri prapë do të merresha me këtë profesion.

Sa vepra keni kompozuar dhe cilën e keni për zemër?

Mbi 250 nga të gjitha zhanret duke filluar që nga kënga Zambaku i Prizrenit që është sinonim i krijimtarisë sime, pastaj këngë të lehta, muzikë solistike, kamertale dhe skenike.

Jeni prezantuar edhe jashtë Kosovës, si janë pritur veprat tuaja dhe si jeni ndier ju në ato çaste?

Pa dyshim se ato momente janë të pa përshkruara, sepse nuk prezantoja vetëm krijimtarinë time, por edhe kombin tim. Krijuesit tanë paraqiten në skenën botërore që nga shekulli i katërtë pas Krishtit, të marrim veprën "Te deum" të Niketë Dardanit , pastaj shumë shkrimtarë, arkitektë dhe të tjerë.

Ku gjendet muzika jonë sot, e kam fjalën për të gjitha zhanret?

Nëse e marrim dhe e studiojmë do të shohim se ajo edhe pse ka një jetë jo fortë të gjatë mbi 60 vite, ajo gjendet në skenën botërore mjaft lartë dhe mirë, falë krijuesve të muzikës së kultivuar. Ata janë emra të njohur natyrisht këtu mendoj në ne nga Kosova dhe ata të Shqipërisë. Veprat tona ekzekutohen në shumë skena botërore, bie fjala veprat e mia janë ekzekutuar në më se 70 shtete. Para pak kohe më është ekzekutuar një vepër kushtuar Nënën Terezë në Maribor të Sllovenisë, pastaj një vepër në Kroaci-Opati dhe tjetra në Vjenë, po ashtu edhe veprat e kolegëve të mi. Sa i përket zhanreve të tjera, situata qëndron ndryshe, nuk kam dëshirë të flasë, sepse kam mendime jo fortë të këndshme, komenti është i tepërt.

Ju keni botuar i pari edhe librin Atë Gjergj Fishta, "Anzat e Parnasit", në një kohë, do të thoshim kur nuk ishte e preferueshme të përmendej emir i Fishtës së madh?

Kjo është e vërtetë, por jo vetëm unë por edhe Iliria Holding, pra me shpenzimet tona kurse ia kemi dhuruar Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, sepse ka peshë të madhe. Për të parën herë pas gjysmë shekulli botohet dhe flitet për të, ai ka qenë i ndaluar nga sistemi monist. Atë Gjergj Fishta paraqitet në skenën tonë si njeri, krijues i pa precedence, kemi menduar se edhe nëse do të kemi pasoja ajo nuk do të jetë asgjë më keq se sa ndalimi gjysme shekullor i tij. Mirëpo, nuk kemi pasur pasoja pos ca bisedave informative në zyrat e UDB-së edhe ato nga nxënësit e mi të dikurshëm shqiptarë, prandaj nuk kam dëshirë ta kujtojë atë periudhë.

Keni botuar shumë kumtesa shkencore,keni marrë pjesë në shumë tubime shkencore dhe keni botuar shumë tituj librash tuaja. E gjithë kjo flet për një vullnet prej titaniku dhe fanatiku të muzikës dhe studimit të saj. A do të thotë se jeni Akili i muzikës?

Po mendon në thembrën e Akili, trimërinë e tij? Jo, ajo kishte me qenë përmasë e madhe në çdo aspekt. Kumtesat e mija në ato Tubime Nacionale dhe Internacionale kanë qenë prezantimi i begative tona krijuese të gjenit popullor, por edhe atij artistik me të cilën jam munduar që ta prezantojë qenien si popull, komb dhe traditat tona që nuk krahasohen me asnjë popull tjetër, kurse botimi i 8 librave që kam botuar kohët e fundit për krijimtarinë e kolegëve të mi dhe krijuesve të mëdhenj botëror janë dëshmi e punës sime në moshën e tretë. Kam shtruar në ato botime sukseset dhe problemet që na preokupojnë dita më ditë që duhet zgjidhur nëse duam që të jemi ata që mendojmë se jemi. Në to është prezantuar përvoja, profesioni dhe angazhimi i im shumëvjeçar dhe për këtë jam i lumtur që kam shtruar probleme për të cilat gjeneratat që vijnë pas nesh.

Keni themeluar një shkollë të muzikës në Londër, si është interesimi i vijuesve dhe cili është talenti i tyre?

Shkollë quhet kushtimisht sepse aty vetëm përgatitën nxënësit kurse provimet i japin në Royal Music School, e cila besoj se së shpejti do të hapet edhe në Kosovë, sepse kemi shtetin tonë. Kam shumë nxënës të nacionaliteteve të shumta, por nxënësit shqiptar dallohen për talentin dhe punën e tyre që bëjnë. Koncertet e shumta që i kam mbajtur me ata nxënës, kanë tërheq vëmendjen e shumë krijuesve dhe kritikëve muzikor.

Njiheni si njeri me një vullnet të madh dhe ju, sikur i jepni kuptim thënie se puna ishte jetë. Duket se ju nuk pushoni për asnjë çast,ose pushoni me muzikë?

Çka dmth pushim? Artistët dhe krijuesit pensionohen dhe dalin në pushim kur ndahen nga kjo jetë, pra nuk pusho,j por krijoj dhe merrem intensivisht me krijimtari, sepse ajo paraqet pushimin tim dhe kënaqem kur shoh frytet e punës sime.

Keni themeluar Çmimin, Akil Koci, i cili ndahet çdo vjet në Stubëll të Vitisë për arritje kulturore në fushën e muzikës, por në gjinitë të tjera?

Përkundrazi në Stubëll në Takimet e Don Mikelit, asnjëherë nuk i është ndarë ndonjë krijuesi muzikor, por letrar, sepse për muzikë kam, po ashtu, një Shpërblim të Akil Kocit – Grand Prix në Takimet Ndërkombëtare të talenteve muzikore nga 12 shtete dhe duhet thënë se ky Shpërblim ka hy në analet e Shpërblimeve Evropiane.

Në atë Manifestim të madh muzikor marrin pjesë mbi 300 garues nga 12 shtete kam dhënë edhe burse njëvjeçare, por vetëm për pjesëmarrësi shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria.ar.

Kosovës, sikur i ik truri intelektual, a e shihni brengosëse këtë fenomen,i cili më parë kishte ndodhur dhe po ndodh edhe në Shqipëri?

Përmasat nuk janë të tilla si në Shqipëri, por është brengosëse. Unë personalisht kam shkuar pasi e kam kryer "zyrtarisht", punën time, kur jam pensionuar nuk kam lënë asgjë të keqe, por është brengosëse kur koleget e mi, Profesorët e Universitetit i lëjnë Katedrat dhe ikin në vend që të rinjtë tanë që studiojnë jashtë një ditë të kthehen, por shtroj një problem se edhe ata që kthehen nuk janë të mirëseardhur, sikur hasin në pengesa.

A do të ktheheni ju në Kosovë, po që se ju kërkon Kosova?

Unë jam më shumë në Kosovë se sa atje, jo vetëm me trup, por edhe me mend dhe vepra, por si duket kolegët që punojnë nga 4-5 vende të punës sikur nuk janë të vetëdijshëm për këtë. Kam ca vepra edhe pse kanë fituar shpërblimet e para në konkurset vendore ende nuk janë ekzekutuar, rast me korin dhe Filarmoninë e Kosovës. Kam fituar Shpërblimin në Londër që kënga e ime "Vera" në tekstin e Ndre Mjedës të ekzekutohet në hapjen e Lojërave Olimpike 2014, në një konkurrencë jashtëzakonisht të madhe, kurse këtu është refuzuar. Komenti është i tepërt.

Ju, po thuaj se jeni tërë verën në Kosovë, dmth e keni nda vitin në dysh, gjysmën në Londër, gjysmën në Kosovë. Duket se artisti nuk ka atdhe, por kjo frazë duket se ishte tepër patetike dhe jo gjithaq realiste?

Më shumë se çdo profesion tjetër krijuesi,shkencëtari,artisti ka atdhe,sepse përmes veprës ai shpreh atdhedashurinë edhe pse fizikisht ndoshta nuk është në vendin e vetë.

Muzika e jonë është atakuar nga të gjitha anët. Si të mbrohet ajo?

I vetëdijshëm për këtë që po e thua duhet mbrojtur vetëm me ligj. Shundi dhe kiçi që është prezentë në Radio Televizion, shtyp duhet të sanksionohet me ligj, sikurse që sanksionohet në vendet me kulturë më të madhe se Kosova, e këtë duhet bërë Ministria e Kulturës.

Porosia e Juaj për atë gjithë që merren me muzikë?

Punë, punë dhe vetëm punë.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Analiza e

Analiza e "Octupus": Si po synon Serbia destabilizimin e Kosovës përmes luftës hibride

Siguri

"Me qenë vjehrra e mirë e kish pas edhe Zoti", Atilla mori sërish vëmendjen me deklaratat e tij qesharake në Big Brother VIP Kosova

Magazina

"Babi këtu po më del që jeni ende duke u ulur", vajza e Drenushës zbuloi aksidentalisht se programi transmetohet disa minuta me vonesë

Magazina
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Albania

Magazina
Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Bild shkruan për sjelljen e çuditshme të Putinit

Evropa
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Kalo në kategori