Nga: Rexhep Qosja
Para më tepër se një viti ishte bërë publike nisma për krijimin e një Akademie të përbashkët të shkencave dhe të arteve të Shqipërisë e të Kosovës.
Kjo Akademi, ishte thënë, do të përbëhej prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe prej Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës.
Nisma në fjalë, e bërë publike prej Qeverisë së Shqipërisë, në të vërtetë prej Kryeministrit Edi Rama, ishte përkrahur prej një numri të vogël krijuesish dhe ishte kundërshtuar prej një numri po ashtu të vogël krijuesish.
Mjerisht, pas pak ditësh, për shkak të konflikteve të ndërsjella politike të disa forcave partiake kjo nismë historikisht e rëndësishme do të lihet në harresë!
Meqenëse angazhimet për çështje të mëdha është e nevojshme të përsëriten në qoftë se duam që të sendërtohen, le të thuhen rishtazi disa fjalë për të.
Në qoftë se krijimi i kësaj Akademie të përbashkët shtetërore megjithatë do të kundërshtohej vendosmërisht prej dy akademive të tanishme – prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe sidomos prej Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, Akademia e dy shteteve shqiptare do të mund të krijohej duke qenë edhe më tej dy akademitë në fjalë: duke qenë gjithnjë deri në ditën e shkrirjes së pashmangshme në të.
Akademia e përbashkët e Shqipërisë dhe e Kosovës do të quhej Akademia Mbarëkombëtare e Shkencave dhe e Arteve.
Ajo do të krijohej prej akademikëve të akademive të tanishme të Shqipërisë dhe të Kosovës, që do të kërkonin të bëheshin anëtarë të saj dhe prej krijuesve të tjerë të shquar të shkencave dhe të arteve nga Shqipëria, nga Kosova, nga trojet e tjera me shumicë shqiptare në Ballkan dhe nga diaspora.
Selia e kësaj Akademie do të ishte disa vite në Shqipërinë shtetërore, si shteti i parë, shteti amë i shqiptarëve dhe po aq vite në Kosovë, në shtetin e dytë shqiptar.
Krijimi i kësaj Akademie Mbarëkombëtare të Shkencave dhe të Arteve është shumë i nevojshëm për arsye të zhvillimit të mëtejmë më të gjithanshëm e më të dukshëm, më të çmuar se tani, të shkencave e të arteve tona, kurse sot edhe për arsye politike e kombëtare.
Rëndësia e veprimtarisë së saj shkencore e artistike mbarëkombëtare
Akademia në fjalë do të luante rol jashtëzakonisht të rëndësishëm për organizimin, për mbarëvajtjen e bashkërendimin, për politikën e planifikimin, për strategjinë e zhvillimit të shkencave dhe arteve shqiptare në rrafsh mbarëkombëtar, për merendimin e punëve kërkimore shkencore dhe për publikimin e rezultateve të atyre kërkimeve shkencore.
Ajo do ta bënte të mundshëm shfrytëzimin e burimeve dhe të mundësive shkencore, profesionale dhe materiale vendore e ndërkombëtare për zhvillimin e të gjitha shkencave me interes për shqiptarët dhe shtetet shqiptare.
Ajo, me planet dhe me programet kërkimore shkencore dhe me krijimtarinë e saj mendore në përgjithësi, do ta bënte të mundshme dëshminë me të dhëna të burimeve vendore e ndërkombëtare për njësinë e vazhdimësisë historike shqiptare, që në një varg botimesh tona të tanishme del e ndërprerë jo vetëm në vitin 1912-1913.
Ajo, me krijimtarinë shkencore, letrare e artistike në përgjithësi të anëtarëve e të bashkëpunëtorëve të saj, do ta bënte të mundshme dëshminë e njësisë së përbashkët letrare, artistike, kulturore në përgjithësi të popullit shqiptar, të ndërprerë, thuhet, sidomos, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ajo, me politikën e saj kërkimore shkencore, me përkushtimet e saj të deklaruara ndaj parimësisë dhe objektivitetit shkencor do të bënte të mënjanoheshin, në njërën anë zhvlerësimet e tanishme kundërshkencore propagandistike të ndonjë etape e të disa figurave historike, kurse, në anën tjetër glorifikimet folklorizuese të ndonjë etape e të ndonjë figure të historisë sonë politike e kulturore.
Ajo do të bënte të mundshme që në planet dhe programet e saj t’u kushtohej kujdes edhe temave e çështjeve me karakter të përgjithshëm teorik, metodologjik, gjithënjerëzor, tani të padukshme në veprimtarinë tonë shkencore.
Ajo do të bënte të mundshme realizimin e projekteve madhore shkencore në të gjitha fushat shkencore e në ato artistike, nisur nga historia e përbashkët shqiptare, historia e letërsisë shqipe pa cenimet e saj regjionale, fetare e ideologjike, e deri te fjalorët, leksikonët dhe enciklopeditë shkencore me rëndësi mbarëkombëtare, por edhe realizimin e projekteve të përbashkëta nga fushat e tjera shkencore: gjeografi, gjeologji, gjeodezi, sizmologji, ekonomi, drejtësi, mjekësi, bujqësi, tekniko-informatikë e shumë të tjera, me rëndësi të dorës së parë për zhvillimin e gjithëmbarshëm të shqiptarëve e të shteteve shqiptare.
Ajo do të bënte të mundshme që të mënjanoheshin sundimi partiak dhe padrejtësitë që u janë bërë jo pak krijuesve të shkencave e të arteve gjatë zgjedhjeve domethënë gjatë pranimit në dy akademitë e tanishme, sidomos në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës me pasoja të mëdha për zhvillimin e shkencave, të letërsisë dhe të arteve tona në përgjithësi.
E ato padrejtësi kanë sjellë edhe krijimin e Akademisë Shqiptare të Arteve e të Shkencave me qendër në Tiranë, që në dhjetor 2011, në të cilën janë zgjedhur krijues të shquar shqiptarë shkencorë e artistikë: Luljeta Bozo, Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Shefkije Islamaj, Pëllumb Xhufi, Agim Vinca, Ksenofon Krisafi, Moikom Zeqo, Pandeli Çina, Romeo Gurakuqi, Fatos Tarifa, Skënder Minxhozi. E të tjerë.
Ajo do të bënte të mundshme që të parandaloheshin shpenzimet e panevojshme për kërkime e studime të të njëjtave tema e çështje, që ndodhin tashmë në të njëjtën kohë në Shqipëri, në Kosovë e kudo ka institucione arsimore-shkencore në gjithë hapësirën shqiptare.
Roli i saj për parandalimin e ideologjisë dhe politikës separatiste në jetën kombëtare
Ajo do të bënte të mundshme që të komprometoheshin ideologjia dhe politika separatiste, të përmbajtura në lokalizmat dhe në krahinorizmat tona mjerisht ende të dukshme në Shqipëri e në Kosovë.
Ajo, me vepra e me veprimtari shkencore e publicistike, letrare e artistike, do të bënte të mundshme që të tregoheshin pasojat e mëdha politike e kombëtare, të sotme e të ardhme, të përpjekjeve për krijimin e kombit kosovar, si një prej përpjekjeve të kahershme të klasës politike dhe intelektuale serbe, kur e kur edhe malazeze e maqedonase, për veçimin e shqiptarëve të Kosovës prej albancave të Shqipërisë.
Ajo, me veprimtarinë e saj kërkimore shkencore dhe me paraqitjet e saj publike, do të bënte të mundshme që të mposhtej ideja kundërkombëtare e atyre udhëheqjeve akademike dhe e atyre akademikëve që e përjashtojnë, duke e quajtur të pamundshëm e të palejueshëm, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, domethënë bashkimin e Kombit të ndarë shqiptar!
Ajo, Akademia Mbarëkombëtare e Shkencave dhe e Arteve me ekzistimin e saj, me veprimtarinë e saj, me veprat e saj shkencore të fushave të ndryshme, me veprat e saj letrare, me veprat e saj artistike, me autoritetin e saj kulturor e qytetërues do të bëhej dëshmi e të drejtës së Kosovës e të Shqipërisë për t’u bashkuar në një shtet.
Ajo, Akademia Mbarëkombëtare e Shkencave dhe e Arteve me përbërjen e saj, me krijimtarinë e saj shkencore, me krijimtarinë e saj gjuhësore, me krijimtarinë e saj historike, me krijimtarinë e saj letrare, me krijimtarinë e saj artistike si dhe me autoritetin e saj moral do të bëhej institucion me rol të veçantë, të madh, në jetën tonë shoqërore, kulturore, politike, arsimore, ekonomike. E të tjera. Si e tillë ajo do të ushtronte ndikim të përtashëm dhe historik për parandalimin e përshtrirjes së sotme të shpërfytyrimeve dhe kundërvlerave që njëmendësinë tonë, aq shumë të përdorur e shpërdorur prej politikës e medieve, e kanë privuar prej sistemit të vlerave!
Qeverisë së sotme të Shqipërisë, Qeverisë së sotme të Kosovës iu takon detyrë historike që, për shkak të arsyeve të sipërthëna, të vendosin për krijimin e kësaj Akademie Mbarëkombëtare të Shkencave e të Arteve.
Le të thuhet në fund se një prej obligimeve të para të mëdha të misionit historik të këtyre dy qeverive në këtë kohë mundësish dhe sfidash të ndryshme të Kombit shqiptar është pikërisht krijimi i kësaj Akademie.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Shfaqen pamjet e para të sulmeve me raketa britanike në Rusi
Shpërthen TikTok-u, Sara Kolami ia konfirmon Drilonit pëlqimin për të
Pyetet për rezervat shtetërore, ministrja Hajdari i thotë gazetarit "Mbylle këtë temë", Vishaj: "Kur e mbylli, vendosi unë"
"Vetëm me Kosovën jo" - kapiteni i Rumanisë nuk do më përballje me Dardanët
Franco Foda në skaner për Ligën e Kombeve: Çfarë ndryshoi, sa lojtarë luajtën, kush debutoi dhe ku gaboi te Kosova
Hoxha për debatin Peci - Pacolli: Ministrat paguhen për të dhënë llogari, përmendja e hetimit për vrasje, e papranueshme