Një raport i brendshëm i Auditimit në Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka zbuluar një skandal financiar që kap mbi 1 milion euro, me pagesa të kryera pa dokumentacion bazë dhe jashtë procedurave ligjore.

Dokumenti i siguruar nga Gazeta Insajderi lidhet me periudhën kur institucioni drejtohej nga ish-drejtori ekzekutiv Sami Mazreku, i cili më vonë u përjashtua për pesë vjet nga industria e sigurimeve.


Raporti tregon se gjatë viteve 2022–2023 janë kryer 166 pagesa të paautorizuara, në vlerë totale 1,043,284 euro.

Shumica e pagesave nuk figurojnë në databazën e dëmeve të BKS-së dhe nuk kanë raport policor, vendim komisioni apo dokumente të ekspertizës, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të fondeve.

“Nuk mund të përcaktohet nëse këto fonde janë përdorur për dëme reale apo për qëllime të tjera”, thuhet në raportin e cituar nga Insajderi.

Një pjesë e këtyre mjeteve është shpërndarë për 43 individë dhe një kompani, pa kaluar përmes sistemit zyrtar të dëmeve.

Menaxhmenti i BKS-së ka pranuar zyrtarisht se Departamenti i Financave nuk ka pranuar urdhërpagesa dhe se përfituesit nuk figurojnë në sistem si palë që kanë kërkuar kompensim.

Auditimi ka zbuluar edhe shkelje të tjera serioze, përfshirë kompensime të dyfishta për të njëjtin aksident, mungesë raportesh origjinale të policisë në të paktën 14 raste dhe raste ku fajësia është ndryshuar nga 50% në 100% pa arsyetim profesional, duke rritur vlerën e pagesës.

Raporti rekomandon veprim penal, duke theksuar shkelje të mundshme të ligjit për sigurimet dhe rreziqe për shpëlarje parash. Rasti është në prokurori, por mbetet e paqartë se cili prokuror do ta marrë në hetim./Gazeta Insajderi/