Qerim Ademaj, nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, thotë se gjendja aktuale në lëmin civile nuk është e mirë dhe në këtë gjendje pikërisht kanë kontribuar paditë që rrjedhin nga kontratat kolektive.
“Sipas disa të dhënave që i kemi siguruar edhe nga zyra e statistikave në Këshill, por edhe zyrat e statistikave të cilat janë nëpër gjykata, por edhe bisedat që i kemi pas me kryetar të gjykatave të cilët i përditësojnë ato të dhëna, në këtë vit parashihet që numri i lëndëve që burojnë nga këto kontrata ka me qenë përafërsisht diku 70 mijë lëndë”, ka thënë Ademaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, ky numër i lartë i lëndëve që burojnë nga kontratat kolektive përbënë ¼ e lëndëve të përgjithshme.
Trajtimi i lëndëve që burojnë nga këto kontrata, profesionalisht nuk janë të rënda për tu zgjidhur, kështu kjo po iu krijon mundësi gjyqtarëve që të përmbushin normën e zgjidhjes së lëndëve. Për këtë, Ademaj thotë se me rregulloren e re kjo mënyrë do të ndryshoj dhe gjyqtarët nuk do të kenë mundësi që më këto lëndë të arrijnë normën.
Profesionalisht nuk janë lëndë të rënda për shkak se baza e kontestit të kësaj natyre është e njëjte”, ka thënë Ademaj, duke shtuar se me strategjinë e re gjyqtarët nuk do të arrijnë normën me këto lëndë.
Sipas tij praktika për të arritur normën përmes këtyre lëndëve nuk është e njëjtë te të gjithë gjyqtarët.
“Mirëpo ka edhe gjyqtarë që mbështeten, fshehën pas normës tu i trajtu këto landë. Po besoj se kjo çështje do të rregullohet kur do të hyjë në fuqi rregullorja për lëndë dhe na po mendojmë që të hyjë në fuqi brenda këtij viti dhe që të ketë zbatim prej 1 janarit. Me rregulloren për normë kanë mu trajtu ose mu poentu, sipas natyrës së tyre ose peshës së tyre. Kështu që kanë me u poentu sipas natyrës së tyre dhe peshës së tyre. Në këtë aspekt këto landë kanë poentim të ulët dhe është e pamundur që nëse gjyqtari trajton landë të kësaj natyre me arrit normën”, është shprehur ai.