VAZHDIMËSI E STANDARDEVE MË TË LARTA BOTËRORE PËR CILËSI DHE SIGURI

Spitali Klinik “Acibadem Sistina” për herë të katërt mori akreditimin nga Joint Commission International (JCI), organizata më prestigjioze ndërkombëtare për akreditimin e institucioneve shëndetësore sipas standardeve më të larta të cilësisë dhe sigurisë së pacientëve.


Me këtë akreditim të katërt, spitali edhe një herë dëshmon përkushtimin dhe vazhdimësinë në ruajtjen dhe avancimin e standardeve më të larta të kujdesit shëndetësor. Auditimi i spitalit u zhvillua në periudhën nga 23 deri më 26 shkurt dhe u realizua nga një ekip ndërkombëtar ekspertësh të organizatës Joint Commission International, gjatë të cilit u vlerësuan në detaje të gjitha proceset klinike dhe administrative, strukturat organizative, shërbimet dhe procedurat që lidhen me sigurinë dhe trajtimin e pacientëve.

Pas kontrollit të përfunduar, auditorët ishin unanimë në konstatimin se Spitali Klinik “Acibadem Sistina” ofron kujdes të përsosur për pacientët në përputhje me protokollet dhe standardet botërore dhe ka krijuar një sistem funksional, që lejon pacientët të ndihen të sigurt.

“Vazhdimësia në ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit për pacientët është konfirmimi më i madh i seriozitetit të një institucioni shëndetësor. Pikërisht për këtë jemi krenarë që kemi arritur të ndërtojmë një institucion që jo vetëm i arrin, por edhe i ruan ndër vite standardet më të larta ndërkombëtare për sigurinë dhe cilësinë. Kjo është dëshmi se spitali ka ndërtuar një sistem të qëndrueshëm, në të cilin pacientët trajtohen njësoj si në spitalet më të mira në botë, duke respektuar të njëjtat protokolle dhe udhëzime që zbatohen në qendrat më prestigjioze shëndetësore”, deklaroi Dr. Emilija Mirçevska, drejtoreshë mjekësore.

ZBATIMI I STANDARDEVE JCI ËSHTË GARANCI PËR SIGURINË DHE KUJDESIN

Zbatimi i standardeve JCI nënkupton vendosjen e proceseve të qarta, të matshme dhe të kontrolluara rreptësisht në çdo segment të funksionimit. Ato bazohen në qëllimet ndërkombëtare për sigurinë e pacientëve, të cilat përfshijnë: identifikimin e saktë të pacientit, komunikim efektiv dhe të strukturuar, rritjen e sigurisë në përdorimin e barnave me rrezik të lartë, procedura kirurgjikale të sigurta, parandalimin dhe kontrollin e infeksioneve intraspitalore, si dhe uljen e rrezikut nga lëndimet gjatë qëndrimit në spital.

Në “Acibadem Sistina” këto standarde janë plotësisht të implementuara dhe të integruara në praktikën e përditshme. Spitali disponon më shumë se 3.500 procedura, protokolle dhe formularë të shkruar, të cilët zbatohen në mënyrë të detyrueshme dhe rishikohen rregullisht për përmirësim të vazhdueshëm.

“Acibadem Sistina” për herë të katërt konfirmoi akreditimin JCI telegrafi.com

“ACIBADEM SISTINA” ËSHTË SPITALI I PARË NË RAJON ME KËTË AKREDITIM PRESTIGJIOZ

Me akreditimin e parë në vitin 2016, Spitali Klinik “Acibadem Sistina” u regjistrua në hartën e spitaleve të akredituara nga Joint Commission International (JCI) dhe u bë institucioni i parë shëndetësor në vend që funksionon sipas standardeve të larta të sigurisë dhe cilësisë.

Nga akreditimi i parë e deri më sot, spitali vazhdimisht investon në përmirësimin e proceseve klinike, në edukimin e stafit dhe në zhvillimin e një sistemi shëndetësor plotësisht të integruar, i cili vendos standarde të larta në kujdesin shëndetësor sipas praktikave dhe protokolleve ndërkombëtare.