"Absolutisht po", Fauci thotë se do t'i shërbejë presidentit të zgjedhur amerikan Joe Biden

Anthony Fauci ka deklaruar se do të pranojë të shërbejë si këshilltari kryesor mjekësor i presidentit amerikan të zgjedhur, Joe Biden.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Biden gjatë një interviste për CNN të enjten tha se i kërkoi Faucit të qëndronte në administratën e tij në të njëjtin rol që kishte për disa presidentë të fundit si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive (NIAID) dhe gjithashtu si “këshilltar kryesor mjekësor”.
Gjatë një paraqitjeje në NBC News të premten, i pyetur për bisedën e tij me Biden dhe nëse ai do ta pranonte ofertën e presidentit të zgjedhur ai u përgjigj me “po”.
“Oh, absolutisht”, tha Fauci.
“Unë thashë ‘po’ menjëherë aty, po”, deklaroi eksperti.
Fauci i cili po shërbente gjatë administratës së presidentit në largim, Donald Trump, ka pasur disa mospajtime me këtë të fundit. /Telegrafi/




















































