Abdixhiku: Të gatshëm të flasim për Presidentin, pa pazare politike

Pas përfundimit të punimeve të Kuvendit të Punës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i konfirmuar i partisë, Lumir Abdixhiku, foli për mediat, duke dhënë detaje mbi vendimet dhe qëndrimet e partisë.
Ai bëri të ditur se gjatë Kuvendit janë miratuar dy deklarata politike, njëra lidhur me situatën politike në vend dhe tjetra për gjendjen dhe reformimin e brendshëm të LDK-së.
“Janë deklarata që kërkojnë maturitet politik. LDK-ja shpreh gatishmëri që ta ofrojë veten për të dhënë mendime me këdo që është pjesë e skenës politike në Kosovë. Nuk kemi folur specifikisht për koalicione apo pozicione specifike, por kemi dhënë vlera orientuese të një partie”, tha Abdixhiku, duke shtuar se deklaratat do të publikohet së shpejti.
Ai theksoi rëndësinë e komunikimit politik brenda spektrit të gjerë politik dhe u shpreh i gatshëm të bashkëbisedojë me të gjitha partitë për çështjen e zgjedhjes së një presidenti konsensual të Kosovës, duke sqaruar se dialogu nuk nënkupton “pazare politike”.
“Kemi diskutuar se na duhet diskutim brenda spektrit politik. Kur flasim për marrëveshje politike, nuk kemi fjalën për pazare, por për ulje të të gjitha palëve që të gjenden zgjidhje për një president që do të përfaqësojë unitetin kombëtar të Republikës”, tha ai.
Abdixhiku siguroi gjithashtu se LDK-ja ka gatishmëri të diskutojë për çështje të stabilitetit politik, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me gjithë spektrin politik për të ardhmen e vendit./Telegrafi/













































