Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në selinë qendrore ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht për krizën institucionale që ka paralizuar funksionimin e organeve shtetërore.

Gjatë takimit, Abdixhiku ka theksuar domosdoshmërinë për formimin e institucioneve funksionale që i shërbejnë qytetarëve, duke kërkuar një zgjidhje të shpejtë dhe kushtetuese të ngërçit aktual politik.


Ai ka vlerësuar se “mungesa e vullnetit politik dhe papërgjegjshmëria e partisë së parë” po e mbajnë peng funksionalizimin e institucioneve, duke cenuar rendin kushtetues dhe besimin qytetar në demokraci.

Kreu i LDK-së ka shprehur gjithashtu mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën, sidomos në proceset e zhvillimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike.

Takimi vjen në një moment kur vendi po përballet me paqartësi të theksuara institucionale dhe thirrje të shumta nga faktorë të brendshëm e ndërkombëtarë për zgjidhje politike./Telegrafi/