AAK-ja kritikon Komunën e Prizrenit për punimet në rrugën “Asllan Fazliu”

Kryetari i degës së AAK-së në Prizren, Besnik Krasniqi ka reaguar lidhur me punimet e realizuara në rrugën “Asllan Fazliu”, duke akuzuar Komunën e Prizrenit për propagandë në projektet investuese.
Krasniqi ka bërë të ditur se kjo rrugë është shtruar me asfalt të ri para dy javësh, dhe se janë harruar lidhjet e nyjeve sanitare të shtëpive.
“Po si mund të asfaltohet rruga pa kryer punët nën tokë? Kujt i shërben ky fasadizëm i rrezikshëm?”, ka pyetur Krasniqi, duke konsideruar se kjo qasje nuk është vetëm neglizhencë, por papërgjegjësi e pastër politike, dhe se nuk ka planfikim e zbatim të duhur të projeketeve dhe se nuk mendohet për hallet e qytetarëve, raporton Telegrafi.
“Kush dha urdhër të shtrohet asfalti pa përfunduar nyjet sanitare? Kush firmosi projektin pa kontroll cilësie? Dhe më e rëndësishmja: kush do ta marrë përgjegjësinë për këtë dëmtim të dyfishtë – të parasë publike dhe të jetës së përditshme të qytetarëve?”, ka pyetur tutje Krasniqi.
Sipas tij Komuna e Prizrenit nuk duhet të propagandojë projektet e kryera, dhe se koha është për llogari dhe ndëshkim për çdo dështim të institucionalizuar.
“Qytetari nuk është më budalla, e sheh, e jeton dhe do të mbajë mend!”, përfundon reagimi i Krasniqit. /Telegrafi/







































