Markezi de Morès ishte një antisemit i neveritshëm - por, libri Fashisti i parë e paraqet gabimisht rëndësinë e tij historike.

Nga: Simon Heffer / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Në fillim të këtij studimi origjinal, megjithëse jo plotësisht të kënaqshëm, Sergio Luzzatto shpalos qëllimet e veta. “Ky libër synon të tregojë”, thotë ai, se si francezi Antoine Vallombrosa, Markezi [Marquis] de Morès (1858-96), “pa qenë arkitekt i fashizmit, ishte një nga etërit e tij”. Morèsi ishte, shkruan ai në [librin] Fashisti i parë [The First Fascist], “udhëheqësi i parë në Perëndim që u shfaq në skenën politike si populist, antisemit dhe (edhe pse fjala ende nuk ekzistonte) një milic fashist, që të gjitha këto në të njëjtën kohë”.

Luzzatto ka një libër për të shitur, ndaj ndoshta mund të falet për këtë dramaticitet të tepruar. Por, shumë shpesh vlefshmëria e pretendimeve të tij varet nga përkufizimet. Ka pasur udhëheqës populistë para tij; mjaft antisemitë; dhe lexuesit i mbetet të vendos vetë se çfarë paraqet një milic fashist. Mosmarrëveshja kryesore e këtij recensuesi ndaj pretendimeve të tij nuk lidhet me antisemitizmin e Morèsit as me (përpjekjen e tij për) populizëm (ai kurrë nuk i ka prirë një numri të madh të ndjekësve në një karrierë politike që ishte e shkurtër dhe e mjerë). Ka të bëjë me idenë e “fashizmit” të tij: për ta quajtur atë “milic fashist”, do të duhej të kishte një “milici fashiste” pjesë e të cilit mund të ishte: në Francën e viteve 1880 ose 1890 nuk kishte të tillë.

Libri është realisht një biografi e një horri francez të shekullit të XIX që ndodhi të ishte ngacmues i vazhdueshëm i hebrenjve. Fatkeqësisht, nuk ishte i vetëm, dhe ishte pjesëmarrës - më shumë sesa krijues - i të njëjtës shoqëri që krijoi Aferën Dreyfus. Interesante është që vetë Alfred Dreyfusi kishte menduar të sfidonte Morèsin në duel - Morèsi kishte vrarë një oficer hebre i cili e kishte sfiduar atë për të mbrojtur nderin e racës së tyre. Dreyfusi u bind të mos e bënte, dhe Luzzatto argumenton se, po të mos e kishin bindur dhe po të kishte fituar, historia ndoshta do të kishte qenë ndryshe.

Megjithatë, duke pasur parasysh se Morèsi ishte tepër i aftë për të vrarë njerëz në duele - ishte një mujshar që kënaqej duke i sfiduar burrat për të cilët dinte se nuk ishin të barabartë me të në përdorimin e shpatës - është e pamundur që Dreyfusi të kishte fituar; dhe duke pasur parasysh klimën antisemite mes oficerëve francezë në atë kohë, është e pamundur që fundi i Dreyfusit të kishte qenë më i lumtur edhe nëse do ta kishte sfiduar. Siç përshkruan Luzzatto, Kisha Katolike e kishte shndërruar urrejtjen ndaj hebrenjve në një lloj artikulli besimi. Nuk ishin vetëm aristokratët që merreshin me këtë: gjithashtu dhe kasapët e Parisit që besonin (gabimisht) se hebrenjtë në tregtinë e tyre po shisnin në sasi të mëdha, për garnizonin e Verdunit, mish të papërshtatshëm për konsum nga njeriu.

Urrejtja e vetë Morèsit ndaj hebrenjve i atribuohet dy ngjarjeve kryesore: përvojës së tij me një fajdexhi kur ishte kadet në Sen-Sir, dhe refuzimit të dashurisë së tij nga një trashëgimtare hebreje. Gjithashtu, jezuitët duket se kishin ndikim (thuhet se e kanë rrahur shpesh; ndoshta jo mjaftueshëm, mund të mendojë dikush) dhe ai duket se kishte arritur në përfundimin se nuk mund të ishe tamam francez dhe të shpëtoje Francën pa urryer hebrenjtë. Në këtë aspekt, ai dha më të mirën e tij.

Marrja e parave me fajde ishte tregues i hershëm i paaftësisë së tij financiare. Harxhoi një pjesë të mirë të pasurisë së vjehrrit të tij të pasur, duke dështuar në një biznes me bagëti dhe transport me ftohje me tren në Dakotën e Veriut (familja e gruas së tij trashëgimtare, von Hoffmann, kishte krijuar pasurinë në Uoll-Strit). Pastaj shkoi dhe humbi edhe më shumë në një biznes të dështuar hekurudhor në Indo-Kinën franceze, gjë që bëri që babai i tij ta shpëtonte dhe t’ia hiqte çdo kontroll mbi paratë.

Më pas erdhi karriera e tij e shkurtër politike në fillim të viteve ’90 të shekullit XIX, të cilën e ndërmori sërish në Francë pasi kishte dështuar në disa punë të tjera. Ai dështoi edhe aty, kaloi një periudhë të shkurtër në burg dhe kërkoi rrugë të tjera drejt lavdisë. Një “kryqëzatë” kundër hebrenjve, duke përfshirë ndihmën e arabëve, e çoi në një “mision” në Algjeri, gjatë të cilit disa tuaregë ia bënë Francës një nder duke e vrarë atë. Disa mijëra veta morën pjesë në funeralin e tij në Notre Dame, dhe një lloj i caktuar i francezëve e nderoi kujtimin e tij deri në (dhe gjatë) ditët e Vishit dhe Pétainit.

Megjithatë, periudha e ndikimit të tij serioz politik në Francë zgjati vetëm tri ose katër vjet, një kohë aq e shkurtër saqë është shumë e vështirë të kuptohet pse Luzzatto, ose kushdo tjetër, duhet të bëjë kaq shumë zhurmë për të. Autori gjithashtu pranon se janë të pakta burimet arkivore për disa pjesë të jetës së tij dhe të gruas së tij. Shpesh krijohet përshtypja se ai po përpiqet të bëjë qerpiçë pa kashtë. Morèsi ishte djali i Dukës dhe Dukeshës së Valombrosës dhe titulli markez i tij ishte një titull nderi; për arsye që ai zgjedh të mos i shpjegojë (ndoshta sepse nuk i di plotësisht), subjekti i tij është Valombrosa për disa dhjetëra faqet e para dhe më pas bëhet Morèsi.

Ky libër është i lezetshëm për t’u lexuar, por teza e tij është e fryrë dhe e ekzagjeruar. Ai është gjithashtu i shkruar në anglishten amerikane, një gjuhë drejtshkrimet dhe idiomat e së cilës janë jashtëzakonisht irrituese për lexuesit britanikë. Edhe nëse [Shtëpia Botuese] Allen Lane kanë mungesë redaktorësh, a nuk mund të tregojnë të paktën respekt të mjaftueshëm për tregun e tyre britanik duke investuar në ndonjë softuer që do t’i përkthente librat e tillë në anglisht? /Telegrafi/