Dr. Memli Morina, mr. sci
gjinekolog – obstetërtel. 045 725 725

Jeni shtatzënë dhe keni shtuar disa kilogramë peshë. Shumicën e kohës jeni e lumtur dhe mezi e pritni momentin kur do ta keni beben tuaj në përqafim, por ka edhe momente kur ndjeheni e lodhur, nuk flini mirë, jeni e shqetësuar dhe kur mendja ju fluturon gjithandej.


Mund të ndodhë që nëse nuk jeni e vëmendshme, ta "harroni" një shkallë ose të keni marramendje dhe të rrëzoheni kur rrëshqitni.

Ju keni shtuar peshë dhe atë kryesisht në pjesën e përparme të trupit. Rrjedhimisht e keni më të vështirë që ta mbani drejtpeshimin. Për më tepër, gjatë shtatzënisë prodhohet hormoni që quhet relaksinë i cili bën që nyjet të jenë mē të relaksuara (prandaj, ndonjëherë gjatë shtatzënisë ju "lëshojnë këmbët" ose ju bie filxhani nga dora).

Relaksina prodhohet gjithnjë e më tepër sa më shumë që i afroheni terminit të lindjes. Relaksina ka për qëllim që t'i bëjë më të relaksuara nyjet dhe indet në pelvik, në mënyrë që lindja të jetë më e lehtë.

Përveç problemit me baraspeshën dhe relaksinës së rritur, gjasat janë më të rritura që të rrëzoheni, sepse shpeshherë ndjeheni e lodhur dhe e preokupuar me shtatzëninë.

Por, a rrezikohet bebja nëse rrëzoheni? Lajmi i mirë është që ka shumë pak mundësi që të rrezikohet bebja. Pse? Bebja brenda në mitër mbrohet nga lëngu amnial (i cili i amortizon goditjet), nga muri i mitrës (që është i trashë) si dhe nga muskujt e barkut dhe nga indi yndyror.

Severe pain after falling while pregnant warrants medical consultation

Megjithatë, nuk do të thotë se nëse rrëzoheni kjo është krejtësisht pa asnjë rrezik!

Patjetër kontaktoni mjekun tuaj e sidomos nëse keni gjakrrjedhje ose dhimbje, rrjedhje të lëngut amnial dhe nëse ju duket se i ndieni më pak lëvizjet e bebes.

Për fat të keq aksidentet nuk mund të parashikohen, prandaj keni kujdes të shtuar sidomos gjatë muajve të dimrit.

Vishni këpucë të rrafshëta dhe të rehatshme (takat e larta ju bëjnë që shumë lehtë ta humbni drejtpeshimin!) dhe kërkoni ndihmë nëse rruga është e rrëshqitshme.

Kur ecni shkallëve mbahuni për trapazona. Nëse shkoni në fitnes, shmangni ushtrimet gjatë të cilave mund të rrëzoheni. /Telegrafi/