Ahmeti tregon pse nuk u arrit koalicioni LDK - Nisma

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vendosi të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke përfunduar kështu mundësinë e koalicioneve parazgjedhore me parti të tjera.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, tha se Këshilli i Përgjithshëm i ka dhënë kryetarit Lumir Abdixhiku autorizimin për të vazhduar negociatat me parti të tjera për përfshirjen e emrave të mundshëm brenda listës së LDK-së, duke përmendur mundësinë e përfshirjes së Fatmir Limajt.
“Natyrisht që ka pasur negociata, struktura është ajo që ka pasur impaktin më të madh në vendimmarrje. Tani për tani Këshilli i Përgjithshëm i dha autorizim prap kryetarit Abixhiku që të vazhdojë negocimin për hyrje brenda listës për deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që të shkojë në garë pa koalicione, por brenda listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të ketë edhe emra të tjerë".
"Natyrisht që KP i dha autorizim kryetarit që të vazhdojë negociatat, por koalicione nuk do të ketë, sepse ka mbaruar ai afat”, tha Ahmeti pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
Ky vendim vjen në një kohë kur partitë politike po finalizojnë listat për zgjedhjet, ndërsa qytetarët presin të njohin ofertën elektorale të secilës parti.
Afati për koalicione parazgjedhore ka përfunduar mbrëmë.


















































