Klinika e Onkologjisë ka bërë të ditur se numri i rasteve me sëmundje malinje në vend mbetet relativisht i qëndrueshëm ndër vite.

Sipas njoftimit, në Kosovë regjistrohen mesatarisht rreth 2100 raste të reja në vit, një shifër që konsiderohet e menaxhueshme në baza mujore nga institucionet shëndetësore.


Vetëm gjatë periudhës janar – 20 mars 2026, në këtë klinikë janë pranuar dhe trajtuar për herë të parë rreth 500 pacientë, të cilët kanë kaluar nëpër të gjitha fazat e ekzaminimit, diagnostikimit dhe trajtimit.

“Këto të dhëna tregojnë një situatë të qëndrueshme dhe të monitoruar me kujdes nga profesionistët shëndetësorë”, thuhet në njoftim, duke shtuar se incidenca e këtyre sëmundjeve në Kosovë mbetet më e ulët krahasuar me disa vende të rajonit.

Nga Klinika e Onkologjisë theksohet se po punohet vazhdimisht për avancimin e shërbimeve, me fokus në diagnostikimin e hershëm dhe trajtimet moderne.

“Klinika edhe më tej do të punojë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknologjike, si dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrolleve të rregullta”, thuhet më tej në komunikatë.

Institucioni apelon për kontrolle të rregullta, me qëllim përmirësimin e shëndetit publik dhe mirëqenies së qytetarëve. /Telegrafi/