LAJMI I FUNDIT:

2014, vit i mbrapshtë për Kosovën

2014, vit i mbrapshtë për Kosovën

Në fund të vitit 2013, të gjithë uronim që 2014-ta të ishte vit i mbarë për Kosovën dhe shqiptarët kudo që ndodhën. Ndonëse parametrat nuk jepnin shenja se diçka e tillë do të ndodhte, gjithsesi shpresën nuk e humbëm. Por, tani në fund te viti 2014 fatkeqësisht mbetëm të zhgjënjyer.

Shpresonim se 2014 do të ishte viti i parë i fillimit të një jetë të dinjitetshme: aty ku përpara ligjit jemi të gjithnjë njësoj, aty ku qytetarët s’do të kishin nevojë të mësynin rrugët e botës, aty ku me gëzim rrisim fëmijët tanë… në një shtet të së drejtës. Por, jo! Fatkeqësisht 2014 mbeti viti i 15-të pas lufte, i humbjes së shpresës, zhvlerësimit të dinjitetit të njeriut, të nëpërkëmbjes së vlerave, zhvatjes së popullit të varfër, rritjes së kriminaliteti,

Përjetuam edhe një vit të vrasjes së ëndrrave të të rinjve, të cilët me të madhe mësyn rrugët e botës, nën buzët e të cilëve belbëzonin trishtimin “këtu nuk jetohet”.

Athua deri kur do t’i abortojmë ëndrrat tona, apo kështu të trishtuar të dorëzohemi përball realitet të hidhur se ëndrrat në Kosovë mbesin ëndrra, se duhet marruar arratinë diku larg Kosovës për jetë të dinjitetshme ?

A nuk janë këta njerëzit që deklamojnë më pompozitet vetën si çlirimtarë, si njerëz që luftuan kundër regjimit të Millosheviqit… Por, a nuk janë të njëjtit njerëz që Kosovën e kanë shndërruar në vendin më të varfër në Evropë, në vendim më të kriminalizuar në Evropë e mbase edhe në botë… A nuk janë këta njerëz që u pasuruan brenda natës, këta të ashtuquajtur çlirimtarë që shndërruan Kosovën në një burg në mes të Evropës së shekullit XX.

Çlirimtarët e vërtetë nuk vjedhin ushqimin e fëmijëve në sofër, nuk vjedhin ilaçet e të sëmurëve./ këta që thirren në emër të çlirimtarëve janë shtresa më e paskrupullt e Kosovës, të cilës ia humbën dinjitetin.

Iku edhe një vit, edhe një vit i zi ne historinë e Kosovës, edhe një vit ku shpresat edhe ashtu të paketa u zbehen, ku ëndrrat po vriten dhe ku e ardhmja është e zymtë .Edhe 2014 vazhdoi përjetimin e trishtimit për shtresën e varfra në Kosovë, që përbën mbi 80 për qind të popullatës, të cilët çdo ditë po vdesin se nuk vjedhin gjepat e askujt dhe jetojnë jetën pa hile. Ky është sistemi që është instaluar që 15 vjet, sistem që pasuron shtresën politike

Të mbështjellë me me oligarki dhe kataklizëm, sistem që Kosovën e ka shndërruar në ndërmarrje fitimprurëse për politikanët, sistem që zhvesh vlerat tona si komb e kombi i shndërruar në pronë private të atyre “çlirimtarëve” edhe atyre pacifistëve te cilët janë bërë bashkë jo pse duhen, por pse duan pushtetin, rrjedhimisht duan famë dhe pasuri.

Kosova e vogël me mbi 70 zëvendësministra, mbi 150 këshilltarë, me Qeverinë më të madhe në Evropë, si dhe më popullin më të varfër në Evropë… Kështu iku edhe viti 2014, një vit për tu harruar, vit i mbrapshtë.

Megjithëse jam pesimist që edhe viti i ri 2015 do të jetë me ndryshe, gjithsesi uroj të jetë viti i parë për Kosovën, vit i kthimit të qeverisjes së popullit, vit që politikanët do të shohin veten shërbëtorl të popullit, vit ku do të punohet për të mirën e këtij populli të stërvuajtur, vit i rikthimit të dinjitetit qytetarëve të rëndomtë.

Uroj që 2015 të jetë viti që me gëzim do rrisim fëmijët tanë dhe me buzëqeshje ndër buzë do themi “këtu jetohet”.