LAJMI I FUNDIT:

1 mijë denarë për ceremoninë e diplomimit në ‘Universitetin e Tetovës’ (Video)

Foto: Dritan Abdiji
Foto: Dritan Abdiji

Dhjetë absolventë të Universitetit të Tetovës sot edhe pse ishin pjesë e ceremonisë për shpërndarjen e diplomave si qindra studentët e tjerë pjesëmarrës, nuk i gëzuan të gjitha privilegjet e ceremonisë.

Pagesa prej 1000 denarësh për pjesëmarrje, këtyre studentëve nuk ju kishte siguruar ulëse në ceremoninë tre orëshe. Në fjalimin e tij, rektori i Universitetit të Tetovës Vullnet Ameti tha se studentët e këtij universiteti mund të mos jenë kudo të parët, por do të jenë ndër më të mirët përkrahë kolegëve të shkolluar në universitetet botërore.

“Të nderuar student, sot mes nesh ndjehet efekti I punës së përbashkët, ndjehet gëzimi dhe hareja, kur e dimë se ne sot festojnë edhe mijëra familjarë dhe të afërmit tuaj, dashamir të këtij universiteti dhe gjithandej bota shqiptare.


Shpresoj që nëse nuk do të jeni kudo të parët dhe të shkëlqeni me profesionet tuaja, sigurisht që do të jeni ndër më të mirët”, tha Vullnet Ahmeti, rektor i UT-së.

Ministri i arsimit Pishtar Lutfiu, shprehu bindjen se tani prindërit e këtyre studentëve kanë përmbushur kushtet fetare, morale si dhe ato kombëtare për fëmijët e tyre.

“Ne duam laps dhe duam fletore. Po pikërisht këto kërkoi kombi ynë në vitet e fundit të shekullit të kaluar.

Këto ishin fjalët me të cilat rektori i parë i Universitetit të Tetovës, prof.dr.Fadil Sulejmani i shndërroi në maksimë të të gjithë asaj për çka kishte nevojë populli shqiptar në Maqedoni”, tha Pishtar Lutfiu, ministër i arsimit.

Hedhja në erë e kapeleve, edhe këtë vit ishte karakteristika që simbolizoi fundin e ceremonisë. Në rangimin me fundit, Lista e Shangait rendit UT-në të nëntën në listën e universiteteve në rang republikan, kurse sipas vlerësimit të “Webometrics”, UT është radhitur në vendin e 10.823 në botë./Telegrafi/

*Foto: Dritan Abdiji