Eintracht Braunschweig e ka përforcuar repartin defensiv me transferimin e qendërmbrojtësit Andi Hoti nga 1. FC Magdeburg.

Lojtari 22-vjeçar ka nënshkruar kontratë me klubin gjerman deri më 30 qershor 2028 dhe do të mbajë fanellën me numrin 4.


Ai për faqen zyrtare të klubit deklaroi se dëshiron të zhvillohet edhe më shumë, si dhe ta ndihmojë me cilësitë e tij në një kampionat mjaftë të fortë.

“Jam shumë i entuziazmuar për sfidën te Eintracht Braunschweig. Bisedimet me drejtuesit e klubit ishin shumë të qarta dhe të bazuara në besim që në fillim, gjë që më dha një ndjenjë shumë të mirë. Eintracht është një klub me shumë traditë dhe ambicie të mëdha, dhe unë dua të jem pjesë e kësaj rruge”.

“Dua të zhvillohem më tej këtu, të bind me paraqitjet e mia dhe ta ndihmoj skuadrën me cilësitë e mia në një Bundesliga 2 shumë të fortë”.

Andi Hoti (i lindur më 2 mars 2003, 1.91 metra i gjatë) ka lindur pranë Cyrihut. Hapat e parë në futboll i hodhi te FC Zurich, përpara se të transferohej te ekipet U17 dhe U19 të Interit. Në korrik të vitit 2022, Hoti u zhvendos për herë të parë në Gjermani, duke iu bashkuar SC Freiburg II në formë huazimi.

Më pas pasoi kalimi i përhershëm te 1. FC Magdeburg, ndërsa gjatë kësaj periudhe ai pati edhe një huazim gjashtëmujor te SG Dynamo Dresden.

Në karrierën e tij, Hoti ka regjistruar 29 paraqitje në Bundesliga 2 dhe 33 ndeshje në divizionin e tretë, ku ka shënuar dy gola dhe ka dhënë një asist. Ai ka zhvilluar gjithashtu një paraqitje me Kombëtaren e Kosovës./Telegrafi

telegrafi sport app