Një incident zjarri ka përfshirë sot paradite një kompani–depo materialesh në magjistralen Ferizaj–Kaçanik, pranë udhëkryqit me rrugën “Driton Islami”.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli tha për Telegrafin, se nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar.


"Sot, më datë 20.11.2025, rreth orës 09:15, policia ka pranuar një informatë për një incident zjarri që ka përfshirë një kompani – depo të materialeve, e cila ndodhet në rrugën magjistrale Ferizaj–Kaçanik, në afërsi të udhëkryqit me rrugën “Driton Islami” në Ferizaj", tha Veseli.

Ai shtoi tutje se menjëherë pas pranimit të informacionit, në vendngjarje kanë dalë ekipet e zjarrfikësve, si dhe njësitë policore të stacionit dhe hetimeve.

"Dëmet materiale dyshohet të jenë të konsiderueshme, ndërsa shkaqet e zjarrit për momentin mbesin të panjohura dhe do të përcaktohen pas përfundimit të hetimeve.Policia ka siguruar perimetrin e zonës së incidentit me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe stafit operues", deklaroi ai.

Veseli theksoi se ekipet janë në terren, ku po punojnë për lokalizimin e zjarrit.

"Ekipe të shumta të zjarrfikësve të Ferizajt, si dhe të komunave tjera që kanë ardhur në asistim, janë duke punuar intensivisht për lokalizimin e zjarrit, në mënyrë që ai të mos përhapet në objektet përreth. Ndërkohë, në vendngjarje ndodhen edhe njësi të shumta policore, të cilat po monitorojnë situatën dhe po sigurojnë zonën e incidentit", shtoi tutje ai./Telegrafi/