Zjarrfikësit në Komunën e Gostivarit do të përfitojnë një rritje të pagave, që arrin deri në 40 për qind në pagën bazë.

Ky vendim vjen në bazë të marrëveshjes së re për harmonizimin e pagave të nënshkruar mes tyre dhe kryetarit të komunës, Valbon Limani.


Sipas kumtesës nga komuna, rritja e pagës bazë do të realizohet përmes sistemit të pikëve dhe pozicioneve të punës, duke reflektuar përvojën dhe përgjegjësinë e secilit zjarrfikës.

Kjo rritje pritet të ndikojë drejtpërdrejt dhe menjëherë në të ardhurat mujore të tyre.

Përveç kësaj, marrëveshja parasheh edhe një rritje shtesë graduale prej 21 për qind, e cila do të zbatohet në tri faza.

Ndryshimet në kontratën kolektive përfshijnë gjithashtu përmirësime në kompensimet shtesë, ku parashihet 50 për qind shtesë për punë gjatë ditëve të pushimit javor, si dhe 5 për qind shtesë për punë në ndërrime.

Po ashtu, është garantuar e drejta për kompensimin e orëve shtesë të punës, në formë pagese ose ditësh pushimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për zjarrfikësit.